Prokuroria e Tiranës pushon akuzën e pastrimit të parave për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Organi i akuzës ka mbyllur hetimet për çështjen e financimeve në SHBA për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, duke e dërguar dosjen në gjykatë.
Kryedemokrati do të jetë i pandehur për akuzën e falsifikimit të formularit.
Lidhur me këtë çështje reagon edhe ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Përmes një postimi në Facebook, ku nuk kursen ironinë ndaj “drejtësisë së pavarur”, Manjani bën edhe një paralajmërim teksa shprehet se, “të njëjtët prokurorë që sot u shërbejnë, do ti kenë nesër përballë si akuzatorë. Apo ska material për akuza! Pa fund”.
Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:
Vula e Partisë Demokratike na qenka fallsifikuar. Edhe nëse është e vërtetë, publikut as i hyn gjë në xhep e as i intereson. Por, për këtë kryetari Partisë merret i pandehur a thua se është shefi i protokollit të partisë.
Tenderi i unazës së re, paratë e të cilit janë publike, fallsifikohet paq. E çfarë vlere? 18 Milionë Euro!!! Por asnjë rilindas (nuk po themi i madhi fare) nuk ngacmohet fare. As sekretaria e tenderit.
Drejtësi, jo shaka!
E pavarur fare! Duket qartë pavarësia…
Nejse, rilindasit duhet të fillojnë të mësohen se çfarë u kanë bërë kundërshtarëve do t’ua bëjnë edhe ata.
Të njëjtët prokurorë që sot u shërbejnë, do ti kenë nesër përballë si akuzatorë. Apo ska material për akuza! Pa fund.
Është e pashmangshme…
Të na rrojë Reforma e pavarur për drejtësi të pavarur!