Akuzë ndaj dekanes Xhajanka/Megakorrupsioni pjesë e një hetimi zyrtar

0
406

Fushata zgjedhore, në fakultete dhe universitetet publike në vend, ka hyrë në pikun e saj. Javën e ardhshme mbyllet gjithë cikli i paraqitjeve, ballafaqimeve dhe publikimit të platformave dhe programeve të kandidatëve për nivelet e larta drejtuese në këto institucione të arsimit të lartë .

Në këtë kuadër, po vihet re se një ndër “seksionet e bujshme” të këtij konkurimi lidhet me denoncimet dhe akuzat që kandidatët e rinj përgjithësisht, u bëjnë kandidatëve në detyrë si dekanë apo rektorë.

Kjo duket se është bërë si normë, por në të vërtetë, shpeshtimi dhe sidomos argumentet dhe faktet e ngjeshura që serviren dhe publikohen për abuzime, shpërdorime dhe zbulime përmes investigimeve në dokumentacionin zyrtar, të shmangies së deklarimit dhe depozitimit financiar në llogaritë zyrtare, të devijimit të tyre flagrant në në llogari private ose ojq-sh pa motiv dhe justifikim ligjor, në kundërshtim me ligjin për financimin e universiteteve publike dhe procedurat administruese, të lenë shijen e një megakorrupsioni që mbetet i pandëshkuar prej drejtësisë dhe sidomos organet e hetimit financiar në vend.

Ditët e fundit, në disa media të vendit ka një denoncim dhe disa artikuj kundër abuzimeve, përfitimeve të paligjshme, si dhe shmangies nga llogaria e fakultetit në llogari ojq-sh prej dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare Profesores Edi Xhajanka. Madje këto akuza të cilat duket se kanë lindur për shkak të fushatës zgjedhore, nuk janë thjesht të mbetura në nivel të propagandës, por tashmë janë pjesë e një hetizimi zyrtar dhe procesi të nisur nga Prokuroria e rrethit të Tiranës.

Burime për shtypi.net bëjnë të ditur se procesi hetimor është në dijeni të disa prej titullarëve më të lartë të organeve të akuzës në vend, duke nisur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela, prokurorja e Prokurorisë së Tiranës zonja Sonila Muhameti, dhe drejtues të lartë të institucioneve të arsimit dhe ministrisë së Arsimit në vend.

Dekania e këtij fakulteti zonja Xhajanka më herët ka qenë e përmendur për emërime nepotike në Universitetin Mjekësor dhe në Fakultetin e Mjekësisë dentare. Më konkretisht mund të njiheni me denoncimet e mëhershme të publikuara nga Nisma Thurje.

Po nga burimet e Prokurorisë së Tiranës bëhet e ditur për shtypi.net se procesi hetimor pas administrimit të denoncimit të bërë nga titullarë dhe kandidatë për dekan në këtë fakultet, mësohet se dia persona janë thirrur në seanca intervistimi në cilësi të personave me dijeni dhe me përgjegjësi administrative. Në listën e personave të intervistuar nuk janë vetëm pjestarë të dekanatit apo të këtij fakulteti, por edhe nga rektorati i universitetit të Mjekësisë.

Procesi hetimor i bazuar në kornizën ligjore që rregullon veprimtarinë dhe proceset administrative të fakulteteve të universiteteve publike , po evidenton një mori shkeljesh dhe shpërdorimesh të pajustfikuara nga administratorja e dekanatit, Profesore Xhajanka. Abuzimet me të ardhura të siguruara nga veprimtari kërkimore-shkencore të realizuara nën logon e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, janë tejet flagrante dhe në sasi të konsiderueshme të ardhurash financiare.

Sipas njerit prej dokumentave të denoncimit zyrtar të ardhurat e siguruara nga tri kongrese të zhvilluara si pjesë e veprimtarive vjetore kërkimore-shkencore nga Fakulteti, në asnjë rast detyrimet financiare të pjesëmarrësve nuk janë derdhur në llogarinë zyrtare të Fakultetit por në dy llogari ojq, të cilat mbeten të panjohura për stafin e fakultetit dhe në kundrshtim me Urdhrat e lëshuar prej administratorit të Universitetit.

Janë dy urdhra të njëpasnjëshëm të lëshuara prej kancelarit të cilat ndalojnë shkelje të tilla financiare dhe ndërpresin praktikat e mëparshme. Por edhe pse ekzistojnë urdhra të tillë, përsëri dekania Xhajanka ka vijuar të përdorë llogarinë e vet për mbledhjen e të gjitha kontributeve financiare dhe kuotizacionet e pjesëmarrjes në konkreset e Fakultetit. Bashkanjgitur në facsimile po paraqesim tabelën e të ardhurave financiare sipas viteve 2015, 2016,2017,2018, 2019 dhe 6 mujorit 2020 për Fakultetin e Mjekësisë Dentare.

Shkeljet dhe fshehjet financiare të kryera në harkun kohor të mandatit si dekane e FMD prej zonjës Xhajanka, janë të një kostoje vërtet të madhe. Investigimi i thjeshtë i kryer prej nesh, dëshmon se shumat kapin shifër prej disa qindra mijëra Eurosh. Ky është një korrupsion i pastër dhe ende i pazbardhur në masën reale dhe në kohështrirjen e vet për të gjitha veprimtaritë e realizuara sipas kalendarit dhe axhendës së fakultetit.

Marrja e një statementi prej bankave ku figurojnë llogaritë e OJQ-ve të cilat kanë përfituar kontributet e pjesëmarrësve në vite në tri kongreset dhe panairet e realizuara prej Fakultetit, do të dëshmojë qartazi se cili ka qenë destinacioni i financave të Fakultetit.

Si janë përdorur dhe prej kujt janë tërhequr ato dhe se sa i konsiderueshëm është krimi financiar i realizuar padyshim me dijeninë, pjesëmarrjen apo edhe firmën e vetë dekanes Xhajanka.

Vijueshëm shtypi.net do të publikojë dokumente dhe fakte që lidhen me protagonizmin e dekanes Xhajanka në këtë cikël dhe zinxhir abuzimesh, përfitimesh dhe shpërdorimesh të cilat tashmë janë pjesë e një procesi hetimor dhe zinxhiri denoncimesh për të cilat gjykatat do të përcaktojnë fatin juridik.

Në shkrimet e redaksisë së shtypi.net do të gjeni dokumenta zyrtare, pohime dhe fakte të shtuara për veprimtarinë e dekanes që bien ndesh me ligjin për arsimit e lartë publik si dhe për cënimin e kësaj pavarësie prej dekanes që i lejon vetes edhe statusi trepunësimi në Fakultetin e Mjekësisë Dentare (UMT) qe ajo drejton dhe 2 universitete private (Albanian University,Universiteti Aldent).