Al Jazeera ka pezulluar dy gazetarë për një video ku mohojnë faktet e Holokaustit (genocidi ndaj hebrenjve).
Transmetuesi i financuar nga shteti i Katarit kishte publikuar videon në AJ + në internet në gjuhën arabe.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjashtë milionë njerëz hebrenj u vranë nga nazistët.
Videoja e Al Jazeera tha se ky numër ishte ekzagjeruar dhe “miratuar nga lëvizja sioniste” dhe se Izraeli është “fituesi më i madh” nga genocidi.
Video u botua në faqet e AJ+ në Twitter dhe Facebook me titullin: “Cila është e vërteta e Holokaustit dhe si ka përfituar lëvizja sioniste nga ajo?”
Ishte postuar në arabisht, por tërhoqi kritika të forta pasi Instituti i Kërkimit të Medias në Lindjen e Mesme (Memri), me bazë në SHBA, me anë të një rrjeti botëror e publikoi me një përkthim në anglisht.
Folësi në video po ashtu pyet se “përse fokusi është vetëm tek ata”, duke iu referuar viktimave hebreje, duke shtuar se komuniteti i përdor “burimet financiare dhe institucionet e mediave për të fokusuar vëmendjen tek vuajtjet e hebrenjve”. Për këtë ka reaguar edhe Emmanuel Nahshon, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, i cili tha se videoja përhap “gënjeshtra dhe ligësi”.
Ndërsa Al Jazeera tha përmes një deklarate se e ka fshirë shpejt videon, pasi ka shkelur standardet editoriale të rrjetit.