Al Jazeera: Qeveria shqiptare mohon lidhjet me krimin e organizuar

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kriza politike në Shqipëri ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtarë. Së fundmi, “Al Jazeera” në një artikull për vendin tonë shkruan sesi “qeveria mohon lidhjet me krimin e organizuar”.

“Në një magazinë të depozitimit të drogës së konfiskuar raftet mbushen gjithnjë e më shumë dita ditës. Sasia e lëndëve narkotike që policia ka konfiskuar është shumë e madhe, madje disa çanta lihen në dysheme e tek shkallët. Por, diskursi politik mbi këtë çështje është akoma më i madh. Krimi i organizuar është një çështje që e ka ndarë palët në Shqipëri”, shkruhet në artikull. Më tej, në shkrim cilësohet se “protesta të dhunshme mbi manipulimin e votave kanë shkundur kryeqytetin e Shqipërisë, një vend i vogël në Ballkan që po përpiqet të integrohet në BE. Protestuesit kanë hedhur molotov, gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të institucioneve të qeverisë.

Protestuesit thonë se qeveria nuk po bën mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar, të cilin ata e akuzojnë si manipuluesin e zgjedhjeve të 2017 në favor të partisë në pushtet. Qeveria i ka mohuar këto akuza duke theksuar se zgjedhjet janë certifikuar nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Fatkeqësisht çdo gjë po polarizohet në Shqipëri. Fatmirësisht ne kemi fakte dhe shifra” thotë Elisa Spiropali për “Al Jazeera”.

“Lufta kundër trafikut të drogës është fakt dhe kjo qeveri ka patur rezultate që të qarta. Sipas Guardia Di Finanza zonat e mbjella me kanabis kanë qenë 323.5 hektarë në 2013, kur partia që është sot në opozitë ishte në pushtet. Krahasojeni këtë me 0.8 hektarë që rezultojnë të mbjella në 2018.”

“Problemi më i madh nuk është korrupsioni i institucioneve, ky ka qenë gjithmonë një problem”, tha Gazment Bardhi për “Al Jazeera”.

“Është lidhja midis krimit të organizuar dhe qeverisë, këto grupe kanë bërë një marrëveshje me kryeministrin … Kjo na bëri të vendosim që të largohemi nga parlamenti”.

Bojkoti

Sipas Bardhit zgjedhjet e ardhshme nuk do të zhvillohen në një ‘atmosferë të qetë’.

“Nuk do të ketë zgjedhje sepse Edi Rama nuk mund të na garantojë zgjedhje ose një ditë votimi normale më 30 qershor” thotë ai.

Deputetët të cilët hoqën dorë nga mandatet po zëvendësohen. “Kjo nuk është një zgjidhje për situatën, por parlamenti është legjitim dhe qeveria gjithashtu” thotë Luigi Soreca, ambasadori i BE në Shqipëri.

“Ne njohëm parimin kushtetues të së drejtës për tu mbledhur për të shprehur qëndrimet politike. Por në të njëjtën kohë ne kemi dënuar çdo formë dhune në protestat publike”.

I pyetur për kërcënimet për dhunë, ambasadori i BE ishte i qartë. “Ne shpresojmë që zgjedhjet vendore të zhvillohen në një mënyrë normale, konform ligjeve. Siç ka ndodhur në të shkuarën, Bashkimi Europian do të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve dhe kemi besim se autoritetet kompetente do të ndihmojnë në zbatimin e ligjit në rast se do të ketë individë që do të përpiqen ta thyejnë atë”, tha Soreca.

Opozita megjithatë nuk duket e bindur. “Ne jemi duke punuar me zyrat vendore të partisë për të krijuar struktura zgjedhore të cilat do të operojnë në çdo qendër votimi dhe do ta bëjnë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve farsë,” tha Bardhi.

“Ne jemi të vendosur”

Në fund pluhuri gjithmonë qetësohet.  Sipropali thotë se opozita ka marrë një rrugë të gabuar. “Të sulmosh institucionet shtetërore dhe policinë me molotov, bashkë me vendimin për të lënë parlamentin dhe të bësh kërcënime publike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme është absurde. Kjo nuk është normale” tha ajo.

“Në 2017 ne i dhamë opozitës gjithçka që kërkuan dhe bëmë një marrëveshje politike. Zgjedhjet e 2017 u certifikuan nga OSBE dhe BE si të lira dhe të ndershme, por ata akoma vazhdojnë me kërcënime qesharake”

“Zgjedhjet do të zhvillohen në qershor. Ne jemi të vendosur të garantojmë zbatimin e ligjit dhe ti garantojmë shqiptarëve të drejtën kushtetuese për të votuar”

Në magazinat e drogës së sekuestruar, një oficer i policisë, duke i vënë drynin dhomës disa milionëshe shtoi: “Pluhuri i kësaj dhome më bën me dhimbje koke” tha ai. “Mos u shqetëso, në fund pluhuri gjithmonë qetësohet”.

 

Zjarr Tv Ad