Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Minishengeni Ballkanik është Jugosllavia e katërt dhe në interes të Rusisë. Kurti theksoi se partneriteti në Ballkan nuk mund të nisë me Serbinë.
“Në formimin tim politik historia është e rëndësishme. Para më shumë se sa një shekulli Rusia cariste ka krijuar aleanca për të shkatërruar dy perandori dhe ia ka dal. Pas një shekulli ne duhet të krijojmë një aleancë. Shqiptarët janë në epiqendër, në njërën anë kanë kroatët, e Bullgarët, por edhe Sarajevën e Podgoricën. Nëse e vëreni hartën e tendencave sidomos në hartën e Ballkanit kemi për një partneritet të tillë, por që nuk mund të fillojë me Serbinë. Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi ka rreziqe përtej atyre buzëqeshjeve. Mendoj se ka qenë shumë më i relaksuar para dy viteve se sa që ka qenë sot, e sot Rama është më i vëmendshëm se sa që ishte para një viti. Intencat e Serbisë që po i shohim sërish në Mal të Zi, janë evidente” pohoi Kurti.
Në një intervistë për KTV Kurti tha se pas vizitës në Shqipëri, ai do të vizitojë Gjermaninë. “Dhjetë ditë kalendarike kanë qenë edhe dhjetë ditë punë dhe me të vërtetë s’jemi ndalur. Në Shqipëri është edhe më e kollajshme të bëhet vizita e parë pasi jemi aq afër, e aq të afërt, e pas kësaj do të shkojë në Gjermani e Londër e të tjera. Më ka marrë nja dy ditë t’ia shtrëngoj dorën secilit në kryeministri”, ka thënë ai.
“Ne kemi dallime, por ky ishte takimi më konstruktiv dhe më i miri në një kohë shumë të gjatë. Ky mund të jetë një fillim i ri në raportet e dy vendeve tona, e nga pak janë dëmtuar edhe me gjëra personale, në mënyrë absurde pasi kjo ka të bëjë me popujt tonë e jo me ne. Dakordimi jonë me një Komision Ndërshtetëror është rruga e parë. Numri më i madh i marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, por ka nevojë për një dinamizëm të re dhe këtë besoj se do ta bëjmë. Nëse kemi pengesa duhet t’i themi dhe të merremi vesh si do t’i kalojmë”, nenvizoi Kurti.