Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar një tjetër kallëzim në SPAK lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
AMT: ”Kemi komunikuar publikisht që pas shembjes së teatrit, mbas atij akti kriminal bërë në orën 4 të mëngjesit, ku nuk është zbardhur asgjë deri më tani, ne në marrëdhënie me publikun por dhe me veten tonë duam të dimë si është e vërteta dhe ku janë shkeljet. Kemi marrë ekipin më të mirë, njerëzit më të kualifikuar që të zbërthejnë nga ana juridike se çfarë ka ndodhur atë natë. Ne besojmë që ajo natë ishte një akt force, dhune nuk kishte asnjë lloj lidhje me zbatimin e ligjit dhe nuk duam që në opinion publik të duket sikur ka ndodhur diçka normale, ka ndodhur diçka anormale. Diçka e tmerrshme dhe që praktikisht ka shokuar gjithë opinion kombëtar por edhe ndërkombëtar.”
Përfaqësuesit e aleancës shprehen se kallëzimi i sotëm është një kallëzim që kap të gjithë zinxhirin e vendimarrjes, pra denoncon mbivendosjen që bën pushteti qëndror dhe ai vendor.
AMT: ”Kallëzimi i sotëm është një kallëzim që kap të gjithë zinxhirin e vendimarrjes, dhe do të denoncojë këtë mbivendosje që bën pushteti qëndor nga njëra anë dhe pushteti lokal që merr ca kompetenca që nuk i ka, pra shpërdorim detyre dhe shkatërron pronën tonë të përbashkët. Këshilli Bashkiak nuk kishte asnjë lloj lidhje me këtë gjë. Ai ishte një vendim i KKT për lejen e ndërtimit. VKM e kalimit është një akt anti ligjor sepse nuk e njeh asnjë ligj që kryeministria ia kalon një institucion kombëtar tia kalojë një intsitucioni lokal që është bashkia.”
Ndërkohë avokati Adriatik Lapaj tha se më kët kallëzim plotësohet e gjitha struktura dhe hierarkia shtetërore që është përfshirë në këtë aferë, ku përfshihet Instituti i Ndërtimit, IKMT-ja, dhe Këshilli Bashkiak.
Adriatik Lapaj: ”Ne sot plotësojmë panoramën e gjithë strukturës dhe hierarkisë shtetërore, organeve vendimarrëse të cilët janë përfshirë në këtë aferë. Filluam me inxhinierët e Institutit të Ndërtimit, po vazhdojmë me IKMT-në, me Këshillin Bashkiak, duke përfshirë të gjithë hierarkinë e organeve vendimarrëse që janë përfshirë në këtë prishje të trishtë. Sa më shumë lexojmë aq më shumë kuptojmë që nuk janë zbatuar procedurat.”