Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nuk e ka parë dokumentin “non-paper” që thuhet se i është dorëzuar në Bruksel, Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, nga Kryeminsitri slloven Janez Jansha, ku parashikohet që Kosova t`i bashkohet Shqipërisë dhe Republika Srpska, Serbisë.
Vuçiç provokoi duke deklaruar se ai preferon kufijtë ekzistues, me Kosovën brenda Serbisë.
“Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, e duhet të respektoj integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ai për median serbe B92.“Për ne, gjëja më e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti i plotë”, theksoi ai, duke shtuar se kjo përfshin edhe vazhdimin e dialogut me Kosovën.
“Çdo ditë flitet për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë nga Tirana dhe Prishtina. Ata e duan Kurtin. Nga Rada Trajkovic, Vuk Jeremic, Dragan Gjilas, të gjithë e duan Kurtin që qëndron për Shqipërinë e Madhe”, ishte komenti i kreut të shtetit serb. Dokumenti jozyrtar që fliste për ndryshim të mundshëm kufijsh në Ballkan shkaktoi reagime të forta. Sllovenia e merr në 1 korrik presidencën e radhës të Këshillit të BE dhe siç e donte rasti, Kryeministri Janša i skicoi paraprakisht në Bruksel prioritetet e vendit të tij, që ne fokus vendosnin Ballkanin.
Dhe idetë e tij nuk mund të konsiderohen thjesht fantazi. Para rreth tre vjetësh, qarkulluan lajme se Vuçiç e ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci kishin hedhur idenë e një korrigjimi të kufijve, siç u quajt atëherë e cila ndeshi në kundërshti të mëdha, ndërsa tani, edhe kreu i Republikës Srpska, Milorad Dodik shprehet i gatshëm për një ndarje paqësore të Bosnje Hercegovinës.