Aliaj: Si të llogarisni pensionin e pleqërisë

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të moshuarit që kanë mbushur moshën dhe vitet e punës me sigurime, mund të paraqiten pranë patronatit INAS Albania, për të verifikuar kontributet që kanë arritur të sigurojnë. Kështu, aplikantët do të jenë më të qartë mbi masën e pensionit që do tu takojë në bazë të ligjit për sigurimet shoqërore. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Beskida Aliaj, drejtuese e këtij patronati sqaron se si llogaritet pensioni.

Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit 104/2014, neni 18, i cili ndryshon nenin 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet si më poshtë: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. “Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 31 të ligjit 104/2014 ( i cili ndryshon nenin 59 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ).

Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.”,-thekson Aliaj për ‘GSH’. Kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se për ta pasur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social. Ndërkohë, sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.

Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV ( baza e vlerësuar)

Baza e vlerësuar
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. “Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave”,-bën me dije Aliaj.

Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Ekspertja thekson se për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.

 

Zjarr Tv Ad