Partia Demokratike, e cila përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili pretendon në shkresë se mban ende detyrën e kryetarit të komanduar, ka ankimuar sot në gjykatën e apelit vendimin për statutin e 11 Dhjetorit.
Vendimi i datës 25 Mars, i cili mban firmën e gjyqtarit Agron Zhukri, njohu Kuvendin e datës 11 Dhjetor thirrur nga Sali Berisha, duke legjitimuar në këtë mënyrë, edhe Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues të PD-së.
Prej ditës së dhënies së vendimit, Alibeaj pretendoi apelimin e tij, që për juristin e Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso ishte i pavlefshëm.
Kaso tha se një palë që nuk ka qenë pjesë e procesit, nuk ka të drejtë që të apelojë vendimin.
Mbetet për t’u parë nëse Gjykata e Apelit do të shprehet për këtë çështje.
Nga momenti i dhënies së vendimit në Gjykatën e Tiranës, ka pasur zhvillime të shpejta në PD, ku Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit kanë hyrë në seli, dhe kanë hequr prej andej të gjitha dyert e blinduara të vendosura nga Lulzim Basha.
Ky i fundit nga ana tjetër, pas dorëheqjes, ka nisur një tur takimesh të ngjashme me foltoren, dhe ka akuzuar Berishën se do të marrë peng PD-në për intersat e tij personale.