Alibeaj letër Nikollës: Duam që të enjten të bëjmë debat për ndryshimet në qeveri, Rama po largon vëmendjen nga vetja

0
171
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i është drejtuar ditën e sotme me një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.

Në letrën drejtuar Nikollës, Alibeaj kërkon që gjatë seancës plenare ditën e enjte të bëhet debat mbi ndryshimet e fundit në qeveri.

Sipas Alibeajt ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve janë e vetmja mënyrë që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vëmendjen nga vetja.

Deputeti demokrat thekson se Rama është përgjegjësi kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, prandaj dhe shmang debatin publik dhe përballjen me faktet.

Letra e Alibeajt:

Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.

Siç ndodh rëndom në të gjjtha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama udhëron votimin pa debat. Edhe pse është e shkruar qartë në nenin 110 të Rregullores që sanksionon se Kuvendi ia nënshtron debatit parlamentar përbërjen e qeverisë. “Asnjë deputeti, – thotë neni 46 i Rregullores, “që dëshiron të diskutojë për një cështje të rendit të ditës, nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. ”

Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.

Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makiazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së.

Ndryshimet e qeverisë të shpallura në twitter, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve janë dhe mbeten mënyra që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vëmendjen nga vetja.

Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë.

Zjarr Tv Ad