Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj i pranishëm në Komisionin e Ligjeve është shprehur se mazhoranca kërkon të rikthejë imunitetin e deputetëve të kapur përmes ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.
Në këtë draft rregullore janë parashikuar procedura të veçanta për rastet kur prokuroria do të kërkojë nga Kuvendi arrestimin e deputetëve apo ministrave të qeverisë.
Alibeaj më tej u shpreh se heqja e imunitetit të deputetëve është bërë nga Kushtetuta që në vitin 2012.
“Po thoni se doni ta miratoni vetë duke prishur traditën për konsensus. Tani u binda se nuk është lapsus, është në shkelje të rregullores. Meqë ra fjala, kush e ka radhën? Sot po e fusni me dhunë në rregullore imunitetin. Frikën kush e ka? Po fusni sot edhe një herë koracën imunitare për të mbrojtur deputetët nga ndjekja penale. E kapët prokurorinë me Arta Markun. Arritjen e madhe të heqjes së imunitetit ju doni ta fusni sot në rregullore. Imuniteti është hequr nga Kushtetuta në vitin 2012. Ky parlament është i lidhur me krimin. Ju tregoni me këtë se deri ku ka shkuar frika juaj. Është turp i madh. ”- tha Alibeaj.
Sakaq, Ulsi Manja u shpreh ky propozim po shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve, pasi Këshilli i Legjislacionit është bllokuar nga opozita.
“Rregullorja duhet të ishte miratuar në sesionin e vjeshtës të vitit 2018, por bojkoti i opozitës bëri që të bllokohen edhe Këshilli i Mandateve i cili drejtohej për këtë periudhë nga opozita”, tha Manja.
Taulant Balla u shpreh gjatë fjalës së tij se ”Këto ndryshime nuk miratohen pa konsensusin e opozitës. Nuk bëjmë habinë që ka bërë Kuvendi në vitin 2010 ku miratonte pa konsensus. Drafti ka 6 nene nga mazhoranca dhe 12 nga opozita”.