“Alkooli t’kishte mbërthyer në kthetrat e veta”- Feston 77-vjetorin, Çun Lajçi letër të birit në qeli: Me dorën time të çova në burg! Në gjumë më erdhi urimi yt

0
123
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këngëtari dhe shkrimtari i njohur kosovar, Çun Lajçi i ka shkruar një letër të birit në 77-vjetorin e lindjes, ku shpreh pendesën që e denoncoi në polici pasi ai u kthye në shtëpi i dehur.

Në fjalët drejtuar djalit të tij që ndodhet në qeli, ai u shpreh se kishte për qëllim që ai të qëndronte 1 natë në burg derisa t’i kalonte pija, por sipas Çun Lajçit e gjithë ngjarja “mori jehonë mbrapsht pasi efektivët raportuan për dhunë në familje”.

Në letrën e postuar në Facebook, shkrimtari thotë se e dërgoi djalin në burg me duart e tij pasi “alkoholi e kishte mbërthye n’kthetrat e veta”, por rezultoi se ky vendim ishte një gabim.

Ai i shkruan të birit se “edhe pse larg teje, mua n’gjumë m’erdhi urimi yt për 77-vitet e mia dhe me zgjove nga gjumi me sytë e përlotun.”

Letra shkruar djalit të tij

Biri im

Kur lindi motra jote, zemra ime u dalldis e gjithçka që pata kaloi n’anën e saj. Jeta ime s’ishte e imja ma! Por ti s’vonove e çele si kërmyll e jeta ime u nda n’dysh. N’dy pjesë zemra. N’dy pjesë puna. N’dy pjesë jeta! Gjithçka e imja u baj e jueja. Por ah! Ajo, siç erdhi e para e para iku n’amshim dhe pjesa e saj u ba e jotja! Vazhduem ashtu siç ditem e mujtem me jetua me dhimbjën që na e vari në tre gjoksa!

Tani me ket dhimbje po të shkruej në vitin tim të 77-të, n’ditëlindjen e vetmueme dhe tepër larg teje. Po t’shkruej se u zgjova tue folë me ty n’gjumë: Po shkojmë n’Rugovë m’the dhe unë t’përqafova!

Ah! Ky nga dhoma e vetmisë më përkujtoi ndaj u ula me shkrua!

Biri im.

Ty ndofta nuk t’kujtohet, se kishe pi ma shumë seç duhej e nga droja se po të ndodhë e keqja u nguta me thirrë policinë! Mu duk rruga ma e shkurt dhe ma e leht me t’vu nën kontroll, nga që alkoholi t’kishte mbërthye n’kthetrat e veta!

M’përgjasove n’Bekimin e “Mbledhësit të puplave” kur e theve gotën e dorën e përgjake. Nxitova ta thërras policinë e gabova! Me dorën time të çova n’burg, jo pse ti po ushtroje dhunë ndaj nanës e babës, jo pse ti po e therje vetvetën (siç raportuan mediat), por prej dashnisë dhe dëshirës me t’pasë të shëndoshë e jetëgjatë pranë vetës.

Qëllimi ishte i thjeshtë: Po e dërgoj n’polici që ta ruejnë n’burg për nji natë deri sa t’i kaloi pia dhe t’ia lidhin plagën. Kaq! Por thirrja doli e gabueme. Mori jehonë kur mbrapsht raportoj policia: Dhunë familjare. Djali i filanit e theri vetvetën! Turp që s’kapërdihet!

Nji muej paraburgim për djalin e Çunit, dhe nji muej paraburgim për kriminelin polic serb, që u arrestua n’veri!

E shihni si barazohemi e barazpeshohemi? Unë e ftoj policinë me shpetua djalin tim nga alkoholi i nji nate (ngaqe unë s’kisha forcë) e djali përfundon n’paraburgim nji mujor!

Biri im.

Edhe pse larg teje, mua n’gjumë m’erdhi urimi yt për 77-vitet e mia dhe me zgjove nga gjumi me sytë e përlotun!

Tani prokuorinë m’duhet ta bind se ai asht djali im e jo krimineli serb!

Zjarr Tv Ad