ALUIZNI publikon listë me 2300 pronarë që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje dhe kanë gati kompensimin. Bëhet fjalë për 700 pasuri, ose rreth 2300 pronarë, pasi në secilën pasuri përfshihen emrat e disa trashëgimtarëve, të cilët përfitojnë një fond rreth 50 milionë lekë dhe ju kompensohet një sipërfaqe e përgjithshme prej rreth 11 866,63 m². Përfituesit janë në Berat, Elbasan, Peqin, Librazhd, Gramsh, Durrës, Tiranë, Fier, Lushnjë, Shkodër, Korçë, Pogradec, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Kavajë dhe Kukës. “Gazeta Shqiptare” publikon listën e plotë të përfituesve së bashku me sipërfaqet takuese.
Kompensimi
ALUIZNI bën të ditur se Këshilli i Ministrave miratoi në dt. 13.03.2019 vendimin me numrin më të madh të pronarëve, të cilët kompensohen për tokën e zënë nga ndërtimet informale. Pronarët, të cilët prej vitesh kishin “humbur” të drejtën mbi pronën e tyre, sot do të kompensohen në vlerë monetare për parcelat e zëna. Në këtë VKM janë trajtuar rreth 700 pasuri, ndërsa numri i personave përfitues është disa herë më i madh (rreth 2300), pasi në secilën pasuri përfshihen emrat e disa trashëgimtarëve. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaron se, “ky proces do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe pas krijimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, madje me tendencë përshpejtimi, duke pakësuar një pjesë thelbësore të varavingove burokratike”. “Në pesë vite, Qeveria shqiptare ka miratuar 35 VKM me lista për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, me një total financiar rreth 4,5 miliardë lekë (rreth 40 milionë USD), ndërsa nga viti 2008-2013 kanë qenë të miratuara vetëm 15 VKM. Nga shifrat zyrtare të ALUIZNI-t rezulton se në 35 vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave kanë përfituar 16.273 trashëgimtarë. Deri më sot janë trajtuar 2694 pasuri, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Ndërkaq, nga ALUIZNI janë në proces përgatitjeje edhe dy VKM të tjera me emra ish-pronarësh, të cilët do të kompensohen në vijim”, – thuhet në njoftimin e ALUIZNI-t.