Ambasadorët vizitojnë kampin komunist të Spaçit

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Frank Shkreli

Vizita në burgjet politike ishte një gjest moral por edhe një përgjegjësi politike dhe diplomatike për njohjen e asaj tragjedie shqiptare siç ishte komunizmi. Tirana zyrtare ende nuk është distancuar zyrtarisht nga ai regjim gjysëm shekullor dhe Kuvendi i Shqipërisë me akt ligjor akoma nuk i ka dënuar krimet e diktaturës

KAM BËRË APEL VAZHDIMISHT PËR VITE TANI, NË MËNYRËN TIME MË TË NJERËZISHME, DUKE THENË SE VIZITA NË ATO VENDE DO TË ISHTE NJË GJEST MORAL, POR KAM THEKSUAR SHPESH SE ËSHTË EDHE NJË PËRGJEGJËSI POLITIKE DHE DIPLOMATIKE, NJOHJA E ASAJ TRAGJEDIE SHQIPTARE, QË ISHTE KOMUNIZMI

Të nderuar lexues, javën që kaloi, në një intervistë me Z. Adi Krasta tek Syri TV, ashtu siç kam bërë thirrje vazhdimisht edhe në shkrimet e mia modeste që botohen rregullisht në Gazetën “Telegraf” të Tiranës, u kam bërë thirrje diplomatëve perëndimorë në Tiranë si përfaqësues të vlerave perëndimore në atë vend, por njëkohësisht dhe liderve politikë shqiptarë të këtyre 30-viteve , që për të pasur sado pak një ide të vogël për krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri të vizitojnë kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme të atij regjimi fatkeq për shqiptarët përhapur anë e mbanë Shqipërisë, para se ato vendgjarje të krimeve monstruoze të komunizmit të zhduken nga faqja e dheut nga harresa dhe nga mos kujdesi i shtetit shqiptar për t’i ruajtur si dëshmi të krimeve anti-njerëzore, të shqiptarit kundër shqiptarit për brezat e ardhshëm të Kombit.

Kam bërë apel vazhdimisht për vite tani, në mënyrën time më të njerëzishme, duke thenë se vizita në ato vende do të ishte një gjest moral, por kam theksuar shpesh se është edhe një përgjegjësi politike dhe diplomatike, njohja e asaj tragjedie shqiptare, që ishte komunizmi. Kam bërë thirrje edhe që Shqipëria më në fund pas 30-viteve tranzicion të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe që të dënojë krimet e regjimit më të egër komunist në Evropën ish-komuniste.

Vazhdoj të jem i bindur se problemet e Shqipërisë sot vazhdojnë ta kenë burimin e thellë tek trashëgimia e idhtë e atij sistemi dhe përderisa Tirana zyrtare nuk distancohet zyrtarisht nga ai regjim dhe nga e kaluara komuniste gjysëm shekullore e atij vendi dhe për derisa Kuvendi i Shqipërisë me akt ligjor nuk dënon krimet e komunizmit ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës lindore e qendrore, Kombi shqiptar do ta ketë vështirë të zërë vendin e vet që i takon në botën e vlerave perëndimore, përfshirë ato amerikane. Në botën time ku jetoj unë dhe qindra mijëra shqiptarë këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropën Perëndimor, krime të tilla, si ato të regjimit enverist kundër viktimave të pafajshme, ajkës kombëtare, grave, fëmijve e pleqëve , as nuk anashkalohen as nuk mund të harrohen në një shoqëri moderne në 30-vjetët e para të shekullit 21! Ato viktima të pafajshme nuk duhet të harrohen kurrë dhe askush që thotë se përfaqëson vlerat perëndimore, qofshin ata politikanë shqiptarë apo diplomatë të huaj nuk guxon të bëhet pjesë e lojës për t’i harruar ato krime kundër njerëzimit.

I përshëndes dhe falënderoj ambasadorët, në emrin tim  si një qenje njerëzore e kësaj bote që beson në të vërtetën e përjetshme se të gjithë ne jemi krijesa të barabarta para Perendisë pa dallim  dhe si të tilla do duhej të trajtonim edhe njëri-tjetrin.  Falënderime dhe mirënjohjet e mia , edhe në emër të disa ish-të burgosurve në Spaç dhe kampe tjera që i kam njohur e të cilët kanë kaluar në amshim dhe për të cilët sot nuk ka kush flet, pasi familjet e tyre janë shuar nga komunizmi. Le të jetë kjo vizitë fillimi i një kuptimi më të mirë për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë , se çfarë ka hequr ai popull për një gjysëm shekulli komunizëm dhe cilat janë pasojat e atij regjimi, pasoja të cilat i shohim përditë në jetën abnormale politike të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi.

Falënderime Ambasadorit zviceran Adrian Maître dhe Ambasadores suedeze Elsa Håstad – që sipas Ambasadores amerikane Yuri Kim – organizuan vizitën e sotme të rëndësishme në burgun e Spaçit dhe veçanërisht falënderime për Ambasadoren tonë në Tiranë, Zonjën Yuri Kim që i është përgjigjur thirrjes së ambasadorëve evropianë për të bërë këtë vizitë në Spaç, simbolikisht, shumë të rëndësishme dhe domethënëse. Thank You!

Njoftimi i plotë me foto më poshtë, për vizitën e ditës së martë të ambasadorëve — në burgun e tmershëm të Spaçit, botuar në faqën FB të Ambasadës Amerikane në Tiranë

“Iu bashkova disa Ambasadorëve sot në një vizitë në kampin e burgut politik në Spaç (“Reparti i Riedukimit 303”). Ky vend është dëshmi e qartë dhe e tmerrshme e ligësisë – nuk ka fjalë tjetër përveçse “ligësisë” – së Enver Hoxhës dhe komunizmit. Ish i burgosuri Zenel Drangu, i cili kaloi 18 vjet në Spaç sepse ishte arratisur në Jugosllavi, na tregoi për ashpërsinë e përditshme që u shkaktohej njerëzve aty: rrahjet, puna skllavëruese, nxjerrja në kushte ekstreme të motit, keqinformimi, ngjallja e dyshimeve të ndërsjella, aktet imorale të sadizmit – të gjitha të krijuara për t’i zhveshur njerëzit nga dinjiteti, logjika dhe shpresa. Spaçi duhet të ruhet, në përputhje me statusin e tij si një monument kombëtar shqiptar, për të kujtuar ata që vuajtën, për të nderuar ata që luftuan dhe për të na kujtuar të gjithëve ne se nuk duhet të lejojmë që kjo ligësi të ndodhë më kurrë”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim

Falenderime Ambasadorit Adrian Maître dhe Ambasadores Elsa Håstad për organizmin e vizitës së sotme të rëndësishme.

Zjarr Tv Ad