Ambasadori amerikan ne Beograd: Kemi probleme me Albin Kurtin

0
50
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, tha sot se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës ai tha se zoti Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.

Intervista e mëposhtme është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.

Zëri i Amerikës: Situata në Kosovë ende nuk është zgjidhur. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak i paraqitën propozimet Beogradit dhe Prishtinës – për shtensionimin e gjendjes, zgjedhje të reja në të cilat do të marrin pjesë edhe serbët dhe një kthim në dialogu për normalizimin. Çfarë përgjigje keni marrë nga kryeministri i Kosovës, Aljbin Kurti, a është gati ta pranojë?

Christopher Hill: Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Ai e tha se nuk është gati për shtensionim dhe organizim të zgjedhjeve të reja?

Christopher Hill: Shtensionimi është thelbësor dhe mendoj se kemi pasur sukses në këtë drejtim në ditët e fundit. Siç e dini, disa ditë më parë, ne patëm një bllokim të vërtetë atje. Trupat e NATO-s atje. Dhe së fundmi, ata po luanin lojëra sportive me serbët e Kosovës. Kështu që unë mendoj se ka pasur një shtensionim. Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që policia e posaçme të tërhiqet nga veriu. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se me rëndësi është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili ende është problem për zotin Kurti. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar tha se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale pa parakushte. Ju e përmendët Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A besoni se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse ai nuk themelohet?

Christopher Hill: Nuk do të doja të hyja në hollësi të negociatave, por mendoj se serbët janë të shqetësuar për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale që do të zhvilloheshin në rrethana të njëjta si ato të mëparshme – të cilat i bojkotuan. Mendoj se duhen disa ndryshime, nuk dua të flas se deri ku duhet të shkojnë dhe si do të arrihen. E di që do të ketë shumë diskutime me komunitetin serb në Kosovë se si të ecim përpara. Duhet të kemi parasysh se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që ata që janë zgjedhur t’i shërbejnë komunitetit në veri të Kosovës, i cili është kryesisht serb.

Zëri i Amerikës: A mund ta përfytyroni pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje pa Asociacionin?

Christopher Hill: Mendoj se Asociacioni është thelbësor për veriun e Kosovës. Dhe shumica e njerëzve duket se e kuptojnë këtë. Asociacioni është diçka që e kemi premtuar. Është diçka që kemi vendosur ta kemi. Por ndoshta do të jetë e nevojshme t’i shpjegojmë disi komunitetit serb se çfarë do të thotë? Do të thotë aftësi për të pasur shkolla, për të kontrolluar shkollat, për të pasur tekste me të cilat njerëzit janë të kënaqur në ato shkolla, mjete spitalesh, mjekë, kujdes mjekësor. Mendoj se të gjithë këta elementë janë kuptuar dhe duhet bërë shumë punë për t’i zbatuar ato. Dhe mendoj se ne kemi nevojë për vullnet të mirë nga të gjitha palët. dhe sigurisht, shpresojmë që ta marrim këtë nga autoritetet në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin pasojat për të dyja palët nëse nuk i plotësojnë kërkesat?

Christopher Hill: Për shembull, kur një gjeneral i lartë amerikan vizitoi Serbinë, ne i thamë Kosovës se nuk do ta bënim stërvitjen ushtarake që kishim planifikuar.

Zëri i Amerikës: Por zoti Kurti as atëherë nuk bëri asnjë hap përpara?

Christopher Hill: Më duhet të them dhe kërkoj ndjesë për shprehjen, se është një proces. Dhe kjo nuk do të ndodhë në një moment, por në një periudhë kohore. Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni nga zoti (Aleksandar) Vuçiq në këtë proces? Dhe cilat do të ishin pasojat nëse pritjet nuk përmbushen?

Christopher Hill: Ne e konsiderojmë ai si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive. Isha i pranishëm në bisedimet (me Escobarin, Vuçiçin dhe Lajçakun,) natën tjetër dhe mund t’ju them se ato shkuan përtej krizës aktuale në Kosovë. Mendoj se ka një mirëkuptim me autoritetet në Serbi se si të ecim përpara, t’i bëjmë gjërat së bashku. Shpresoj që edhe populli i Serbisë do ta kuptojë se ne duam të bashkëpunojmë shumë më tepër politikisht, ekonomikisht, në fushën e sigurisë, që është një nga arsyet e vizitës së gjeneralit Hawkinson (i Gardës Kombëtare të SHBA-së). Ne jemi shumë të interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë – të paktën aq sa janë të interesuar njerëzit dhe qeveria në Serbi për të. Ne e ndjejmë se Serbia po bëhet një partner gjithnjë e më i mirë për ne.

Zëri i Amerikës: A ka unitet brenda ‘Quintit’ sa i përket qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës? Ne pamë që SHBA ishte shumë specifike për sa i përket pasojave, por të tjerët nuk e ndoqën.

Christopher Hill: Ajo që kemi thënë për Kosovën është se do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ishte një deklaratë shumë e fortë ajo çfarë tha sekretari (Antony) Blinken duke dënuar veprimet e zoti Kurti për dërgimin policisë së posaçme në veri dhe për dështimin që të punojë dhe komunikojë si duhet me partnerët. Këto janë akuza të rënda ndaj zotit Kurti dhe shpresoj që zoti Kurti mund ta kuptojë se duhet të veprojë në një mënyrë që është ndryshe nga ajo që ka vepruar. Dhe kështu nuk do të flas më me të.

Zëri i Amerikës: Një nga shkëndijat e krizës në Kosovë ishin zgjedhjet lokale. Pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e ulët, rreth 3.5 për qind. Por perëndimi nuk i kundërshtoi rezultatet e atyre zgjedhjeve. A duket si vendim i gabuar?

Christopher Hill: E dini, do t’ju duhet të pyesni njerëzit e tjerë nëse ishte vendim i gabuar. Unë sigurisht kam mendimin tim për zgjedhjet dhe më lejoni t’i përgjigjem kësaj pyetjeje më shumë si analist sesa si ambasador. Mendoj se disa njerëz prisnin që pjesëmarrja të ishte e ulët, por nuk prisnin që të ishte vetëm 3.75 për qind. Dhe mendoj se u bë e qartë shumë shpejt, do të thosha për të gjithë, se me një pjesëmarrje të tillë nuk keni pse të ecni përpara. Është e qartë se këto të dhëna shqetësonin shumë njerëz, sigurisht një prej tyre jam edhe unë.

Zëri i Amerikës: Duket se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve, nuk solli shumë përparim, tensionet në terren janë të njëjta, nëse jo më të mëdha. A i konsideroni marrëveshjet e dështuara? A ka ndoshta nevojë për të gjetur një qasje të re?

Christopher Hill: Mendimi im është, dhe dua ta theksoj këtë sepse nuk jam negociator, që të gjithë elementët e marrëveshjes që duhet të jenë në tryezë janë aty.

Për palën serbe duhet Asociacioni dhe kjo është e rëndësishme, sepse nga fakti që nuk ka Asociacion mungon besimi në bashkësinë ndërkombëtare. Serbia duhet të marrë vendimin që të njohë dokumentet e Kosovës dhe të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizatat rajonale etj…Është e qartë për mua që mund të thuhet se nuk funksionon, por heqja dorë nuk është opsion. Dhe më duhet të them edhe një gjë: ajo që kam parë në negociatat e tjera, por jo këtu, është një ton i mirë bisede. Në rastin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ju po përpiqeni t’i zhvendosni gjërat në një nivel tjetër në krahasim me atë në të cilin janë tani, por mendoj se retorika e ashpër po e dëmton procesin.

Zëri i Amerikës: A prisni që zoti Vuçiç ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Christopher Hill: Unë mendoj se ai është i gatshëm të bëjë atë që tha – të arrijë normalizimin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe kjo i paraprin të gjitha fazat e ardhshme të bashkëpunimit. Le të fillojmë me radhë, të përpiqemi të realizojmë Asociacionin, njohjen e dokumenteve të Kosovës. Kjo është e rëndësishme në këtë pikë.

Zjarr Tv Ad