Ambasadorja amerikane dhe Voltana Ademi takohen online për Shkodrën dhe Covid

0
135

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi kanë zhvilluar takimin e tyre të parë, por virtual për shkak të koronavirusit.

E në fakt situata me COVID 19 ka qenë edhe kryetemë e diskutimit mes tyre.

“Kënaqësi që takova (virtualisht) Voltana Ademin. Ju falenderoj që keni marrë të gjitha masat për t’i mbajtur qytetarët e Shkodrës të sigurtë dhe të shëndetshëm. Pres t’ju vizitoj nga afër sa më shpejt të jetë e mundur, por për momentin, të gjithë le të rrinë në shtëpi” shkruan Kim në twitter.

Ndërsa kryebashkiakja Ademi duke informuar rreth takimit thotë se e falenderoi Ambasadoren SHBA-së për interesimin dhe mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Shkodrën, nga ajo personalisht, por edhe nga Ambasada Amerikane, edhe në këto ditë jo të lehta që po kalojmë.

Ademi: Gjatë bisedës, informova Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës, masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit, për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, për bashkëpunimin dhe punën e Bashkisë Shkodër me institucionet dhe qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe biznesin. Bashkia e Shkodrës do të bëjë çdo gjë, duke vënë të gjithë kapacitetet e mundësitë e saja, për të kaluar me sa më pak pasoja përballjen me COVID19, për të ndihmuar çdo ditë në vazhdimësi, duke shkuar tek secila familje!Unë e  besoj, dhe e sigurova Ambasadoren, se Shkodra dhe shkodranët, me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë. Kjo është e mundur! Nëse qëndrojmë në shtëpi dhe mbajmë higjienën personale.

Shkodra regjistroi një rast të ri infeksioni me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar në 45 numrin e rasteve.