Ambasadorja e SHBA prezantohet para shqiptarëve: Ja mesazhi im!

0
165
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Shqipërinë gjatë viteve, Shqipëria ka qenë një mike dhe aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.” Njihuni me Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim” – njofton sot ambasada amerikane në Tiranë, duke publikuar një video prezantim të ambasadores së re.

Dhe video fillon me fjalët: “Emri im është Yuri Kim” dhe në vijim, ambasadorja iu tregon shqiptarëve tri prioritet mbi të cilat do të punojë gjatë misionit të saj dhe iu lutet, që ata të komunikojnë me të, t’ia shfaqin mendimet dhe idetë e tyre përmes rrjeteve sociale.

Ndiqni mesazhin e ambasadores amerikane në vijim:

“Emri im është Yuri Kim dhe ndihem thellësisht e nderuar të shërbej si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për më shumë se dy dekada kam pasur privilegjin t’u shërbej Shteteve të Bashkuara si diplomate.

Nga Pekini në Bagdad e shumë vende ndërmjet tyre, jam përpjekur të forcoj marrëdhëniet e SHBA-ve nëpër botë.

Përgjatë 23 viteve të mia në Uashington, kam punuar mbi shumë nga prioritetet tona kyçe të politikës së jashtme duke ndihmuar për të sjellë paqe dhe begati.

Jam veçanërisht e nderuar të vij në Shqipëri në fillim të 2020-ës, vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA.

100 vjet më parë, Presidenti Uillson kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj dhe ndihmoi në rrugëtimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve në dhjetor të 1920-ës.

Ashtu si SHBA-ja ka mbështetur Shqipërinë gjatë viteve, Shqipëria ka qenë një mike dhe aleate besnike e SHBA-së.  dhe unë ndihem e privilegjuar që ndodhem këtu.

Gjatë mandatit tim këtu unë kam në plan të punoj mbi tri prioritete:

Së pari, do të punoj për të thelluar marrëdhënien tonë në fushën e mbrojtjes, që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe e aftë.

Së dyti do të vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet tuaja p[për anëtarësim në BE. Aspiratat evropiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin.

Së treti do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e SHBA-së në Shqipëri në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët.

Po pres me kënaqësi që të takoj qytetarët shqiptarë, të mësoj për trashëgiminë tuaj të pasur kulturore, të vizitoj peisazhet tuaja të mahnitshme, të shijoj kulinarinë tuaj të shijshme, të përjetoj mikpritjen tuaj të jashtëzakonshme dhe shumë gjëra të tjera.

Pra, ejani të komunikojmë. Mund të më gjeni në faqet e Facebook, Twitter dhe Instagram të Ambasadës. Do të dëshiroja të dija mendimet dhe idetë tuaja.

Mirë se ju gjeta dhe shihemi së shpejti.”

Zjarr Tv Ad