“Amnistia fiskale dhe penale rrezikon anëtarësimin në BE”- Dhoma Amerikane e Tregtisë ashpërson qëndrimin: Nisma të tërhiqet! Nuk ofron garanci

0
41
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

ADA HAZIZOLLI / Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ashpërsuar qëndrimin mbi projektligjin e amnistisë fiskale dhe penale, duke renditur dëmet që kjo nismë mund të sjellë nëse miratohet.

Përveçse, nuk ofron garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para që burimin e kanë nga aktivitetet kriminale, zbatimi i amnistisë sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) do të sjellë konkurrencë të pandershme në treg, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme. Nisma është parë me shqetësim edhe për faktin që rrezikon seriozisht anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Me institucionet ndërkombëtare kundër, kjo iniciativë, thuhet më tej në deklaratë do të dëmtonte reputacionin e vendit dhe do të ulte për pasojë mundësinë për të tërhequr investimet e huaja në vend. “Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE. Prandaj, nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj., Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend”, thuhet në deklaratë.

MBI AMNISTINË

Nisma u prezantua për herë të parë në 2020-ën, por për shkak të kundërshtive që hasi, qeveria u detyrua të tërhiqej prej saj. Dy vite më parë, një variant thuajse i ngjashëm me të parin është hedhur sërish për diskutim. Dhoma Amerikane vëren se ndryshimet e bëra nuk janë helbësore dhe se rreziqet vijojnë të jenë prezente. Projektligji sipas AmCham, nuk ofron garanci që individë me aktivitete kriminale janë të përjashtuar nga amnistia. “Edhe pse akti i ri ka disa ndryshime nga iniciativa e mëparshme e qeverisë e ndërmarrë në vitin 2020, këto ndryshime nuk janë aq thelbësore për të ndryshuar rreziqet e ngritura prej saj dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Komisioni Evropian. Për këtë arsye, qëndrimi i Dhomës Amerikane, bazuar në opinionin teknik të ekspertëve të komiteteve është si më poshtë: Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qenieve njerëzore, pastrimi i parave, janë të përjashtuar nga amnistia. Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme: Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor, së dyti, investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale dhe së fundmi pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen”, thuhet më tej në deklaratë.

PASTRIMI I PARAVE

Prej gati dy vitesh, Shqipëria është pjesë e listës gri, apo e vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Në raportin e fundit, Maneyval(strukturë pranë Këshillit të Evropës) vuri në dukje se nuk është bërë asnjë përmirësim dhe se nuk janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna. Ndaj, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë do të sillte një stuhi të ekonomisë informale, për këtë ka rekomanduar tërheqjen e nismës. “Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme”, mbyllet deklarata.

Zjarr Tv Ad