ADA HAZIZOLLI/ Qeveria s’ka aspak ndërmend të tërhiqet nga nisma për amnisti fiskale dhe penale.
Kryeministri Rama bëri të qartë një ditë më parë se do të vijohet me projektin duke sfiduar hapur ndërkombëtarët, opozitën dhe përfaqësuesit e biznesit të cilët kanë ngritur shqetësimin se amnistia do të shërbejë si shteg për vërshimin e parave që burimin e kanë nga bota e krimit apo trafikut. “Jemi të vendosur ta çojmë përpara por duam të ballafaqojmë sa më shumë opinione duke ballafaquar kritikat me faktet. Ky projektligj ka zgjatur gati tre vjet.
Amnistia është kushtetuese e bëjnë vendet e tjera, por kur vjen puna te Shqipëria, nuk e pranojnë”, tha Rama. Nisma ka hasur në kundërshti edhe nga ekspertët. Klodian Muço, ekspert ekonomie thotë se amnistia do t’i shërbejë personave që janë marrë me aktivitete kriminale, ndërsa konsideron si një ndër problematikat më të rënda kombinimin e saj me amnisti penale. “Është një skemë që nuk aplikohet në vende të tjera të botës, pra kalimi nga amnisti fiskale në penale. Supozojmë që një qytetar shqiptar ka krijuar apo gjeneruar të ardhura në ekonomi kriminale në Angli apo Itali. Këto dy shtete nuk ia falin, në sensin që në qoftë se ky person ka krijuar këtë pasuri në rrugë të paligjshme do të kërkohet sekuestrimi i kësaj pasurie dhe dënimi me burg ndërsa Shqipëria këtë nuk do ta bëjë”, pohon Muço.
Amnistia fiskale dhe penale është parë me mjaft shqetësim nga përfaqësuesit e biznesit dhe diplomatët e huaj me argumentin kryesor që nuk ofron mjaftueshëm garanci se përmes saj nuk do t’i hapet rruga legalizimit të pasurive që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë nismë? Cilat janë problematikat që mbart?
Amnistia nuk është “shpikje” shqiptare, pasi është bërë në disa vende të tjera të botës, qofshin këto vende të zhvilluara pak apo me ekonomi të avancuar siç mund të jetë Italia, e cila thuajse e bën çdo 5 vjet. Problematika, në gjykimin tim nuk qëndron tek amnistia në vetvete, por tek forma e amnistisë që kjo qeveri dëshiron të bëj. Unë do të veçoja tri aspekte. Aspekti i parë është vlera e lartë e amnistisë për deklarimin vullnetar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që asnjë emigrant shqiptar i cili ka punuar në punë të ndershme nuk mund të mbajë kaq shumë para në të zezë, pra të padeklaruara.
Është relativisht e vështirë për të mos thënë e pamundur që t’i të krijosh deri në 2 milionë euro pasuri. Kjo të bën të mendosh që legalizimi nuk do të vijë për paratë e emigrantëve, por do të vijë për paratë e personave që janë marrë me aktivitete kriminale. Kështu që frika primare është që ekonomia kriminale do të futet në ekonominë reale. Aspekti i dytë apo problematika e dytë është krimi i pabarazisë, pra fakti që ti kërkon të legalizosh ekonominë informale, paratë e gjeneruara nga evazioni fiskal. Kjo gjeneron pabarazi, në sensin që një biznes i ndershëm ka paguar taksa dhe tatime në masën 20 apo 30 për qind, ndërsa këto biznese që kanë bërë evazion fiskal do të taksohen me 7 apo 10 për qind.
Po aspekti i tretë?
Ne kërkojmë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe më në fund pas shumë vitesh u hapën edhe negociatat. Problemi qendron në faktin që duhet të krijohen një sërë filtrash që në këtë amnisti të mos futet ekonomia kriminale dhe të amnistohet kriminaliteti. Kjo është një ndër shqetësimet më të mëdha. Sesi do të korrigjohen, ka një sërë filtrash. Drafti i hedhur për konsultim i referohet një modeli gjerman, por që nuk e gjeti rrugën e miratimit për shkak të këtyre problematikave të ngritura nga ekspertët, si edhe nga përfaqësuesit e biznesit, të cilat dëshmojnë se ka hapësirë për pabarazi, dëmtohet konkurrenca etj. Të gjitha këto janë problematika që duhet të zgjidhen.
Meqenëse jemi te zgjidhja e problematikave, a jemi ne në fakt gati për zbatimin e kësaj nisme, pa lejuar keqpërdorimin e saj apo në rastin më të keq dështimin e saj?
Teorikisht po, sepse Shqipëria ka 30 vjet tranzicion, ka ardhur koha t’i japim fund këtij tranzicioni ekonomik dhe të shohim nga e ardhmja. Problemi është që ne po e bëjmë këtë hap kaq të rëndësishëm dhe po bëjmë këtë “sakrificë”, por kjo sakrificë duhet të ketë disa filtra të tipit: Kush ka punuar në zyrat e administratës shtetërore të përjashtohet nga kjo amnisti dhe nëse ndodh pra nëse përfshihen duhet të mos jenë më pjesë e administratës publike. Po ashtu, duhet të amnistohen bizneset që kanë bërë evazion në të kaluarën por kjo duhet bërë pa krijuar pabarazi me bizneset e ndershme. Kjo shmanget përmes taksimit të njëjtë dhe kjo bëhet duke paguar të njëjtat taksa.
Ambasadori i Holandës deklaroi se kombinimi i amnistisë fiskale me atë penale është ca si tepër. A është tepër në gjykimin tuaj?
Përveç amnistisë fiskale ke një amnisti penale që duhet të kalojë në parlament me 84 vota duke diktuar në këtë mënyrë edhe nevojën për votat e opozitës. Përtej këtij aspekti, që ti bën një deklarim dhe për paratë e deklaruara, shteti nuk ka më të drejtë të gjykojë për burimin e këtyre të ardhurave, apo të bëjë sekuestrimin e tyre. Dhe kjo është shumë e rëndë dhe është një skemë që nuk aplikohet në vende të tjera të botës, pra kalimi nga amnisti fiskale në penale.
Supozojmë që një qytetar shqiptar ka krijuar apo gjeneruar të ardhura në ekonomi kriminale në Angli apo Itali. Këto dy shtete nuk ja falin, në sensin që në qoftë se ky person ka krijuar këtë pasuri në rrugë të paligjshme do të kërkohet sekuestrimi i kësaj pasurie dhe dënimi me burg ndërsa Shqipëria këtë nuk do ta bëjë. Për këtë arsye është parë me shqetësim edhe nga ambasadorët e huaj. Kjo do të jetë një nga faktorët që do e vështirësojë apo nuk do ta realizojë me sukses këtë amnisti. Pra, ti si shtet mund të kërkosh të bësh amnisti por Italia apo Anglia apo shumë vende të tjera në momentin që zbulojnë se këto para janë siguruar nga krimi, evazioni, apo korrupsioni do të kërkojnë të dënojnë këta persona. Kjo është një ndër problematikat më të rënda, pra bashkimi i amnistisë fiskale me atë penale.