Gazetari Lavdrim Lita është shprehur se amnistia penale që pritet të votohet në Kuvend është një thikë pas shpine për Reformën në Drejtësi.
Komentet Lita i bëri në Euronews Albania, ku tha se kjo nismë është bërë për të liruar nga burgu zyrtarët e korruptuar dhe për të mbyllur hetimet për ata që janë nën hetim.
Ai tha gjithashtu se grupi i Berishës bashkëpunoi me mazhorancën e kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë nismë.
“Ditën e djeshme paradite ka ndodhur një gjë e paprecedentë për parlamentarizmin shqiptarë. Një deputet ka dërguar një amendament të tijin, nenin 5 të draftit të mazhorancës, ku thuhet që të dënuarit për korrupsion nga GJKKO duhet t’i ulet dënimi me 1 vit për burrat dhe 6 muaj për gratë dhe PS e ka miratuar direkt pa e diskutuar fare.
Kjo është një thikë pas shpine ndaj Reformës në Drejtësi. Kjo rezonon me faktin që Berisha thotë se SPAK është një bandë dhe organizatë kriminale. Pra ngaqë nuk vlejnë, duhet t’u ulet edhe dënimi këtyre. Pra mazhoranca e ka marrë ktë nder, këtë pas dhe ka bërë golin, të lirojë të dënuarit e vetë.
Kjo është një gjë e paprecedentë, kanë tentuar ta bëjnë në Rumani dhe atje është rrëzuar qeveria. Ndërsa në Shqipëri është vetë opozita e madhe që çon një amendament të tillë që tregon bashkëpunimin mes grupit të Berishës dhe mazhorancës socialiste”, tha Lita.