Analistët: Raporti Mueller tregon se përpjekjet e Moskës s’ndalen

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse po u jep zyrtarëve amerikanë të zbulimit një farë prove se ata kishin të drejtë në shumë prej konkluzioneve që nxorën pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Ndërkaq, disa analistë të inteligjencës thonë se raporti duhet të shërbejë edhe si një paralajmërim se përpjekjet e Moskës për të degraduar dhe dëmtuar demokracinë amerikane, kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme, por edhe vazhdojnë pa u ndalur.

Në mënyrë të veçantë, disa ish zyrtarë të inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare paralajmërojnë se, siç del edhe nga dëshmitë e përfshira në raport, Rusia arriti të gjente dhe të shfrytëzonte shtetas të SHBA që u treguan të gatshëm të ndiqnin Moskën në qëllimet e saj, për të arritur rezultatet që ajo dëshironte.

“Hetimi zbuloi se qeveria ruse besonte se do të përfitonte nëse zoti Trump fitonte presidencën dhe punoi për të siguruar këtë rezultat,” thuhet në raportin e prokurorit Mueller, ku përmendet gjithashtu se fushata e presidentit Donald Trump “shpresonte që të përfitonte në zgjedhje nga informacioni i vjedhur dhe i publikuar përmes përpjekjeve ruse.”

Megjithatë, edhe pse të dyja palët ndoqën këtë qëllim të përbashkët, hetuesit “nuk arritën në përfundimin se pjestarët e ekipit të fushatës Trump komplotuan apo u koordinuan me qeverinë ruse”, thuhej në raport. “Provat nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur ngritjen e akuzave penale”.

Megjithatë, disa ish-zyrtarë të zbulimit në komentet e tyre nuk lanë pa e përmendur faktin që raporti konfirmoi gjetjet fillestare të komunitetit amerikan të zbulimit.

Këto gjetje janë sulmuar vazhdimisht nga Presidenti Trump.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë tashmë veprime, duke ngritur akuza kundër disa punonjësve të Agjencisë ruse për Kërkime në Internet (IRA), një firmë e lidhur me Kremlinin, si dhe kundër 12 agjentëve të zbulimit ushtarak rus për sulme ndaj kompjuterve të Partisë Demokrate.

Disa ish-zyrtarë amerikanë shqetësohen megjithatë se pa një kundërpërgjigje më të fuqishme të SHBA, Rusia apo kundërshtarë të tjerë do të përpiqen përsëri të bëjnë të njëjtën gjë dhe të dalin pa u ndëshkuar.

“Një nga mësimet duhet të jetë se ne u treguan shumë të paaftë me kundërzbulimin tonë dhe me aftësinë tonë për t’iu kundërvënë asaj që po ndodhte në internet”, thotë Steve Bucci, ndihmës i ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe studiues në Fondacionin konservator Heritage në Uashington.

Zyrtarë amerikanë të inteligjencës dhe të sigurisë kanë paralajmëruar se Rusia u përpoq të ndërhyjë sërish në zgjedhjet e mesmandatit në vitin 2018, ku u ngritën akuza ndaj të paktën një shtetas rus të lidhur me IRA-n.

Ndërkaq disa analistë thonë se Moska ka ruajtur truke të tjera, edhe më të sofistikuara për zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane të vitit 2020.

 

Zjarr Tv Ad