Anallim lufte! Fejton nga Armir SHKURTI

0
123
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Armir SHKURTI

E ja! Kshu shku lufta!

Që thua ti, u bëmë një grup vullnetarësh të shkonim në luftë. Ashtu siç vajti Mehmet Shehu të luftojë në Spanjë ne u betuam të luftojmë kundër rusit në Ukrainë. Le ta zbulojmë të vërtetën tani, se nuk na bën më dëm: ishim të gjithë proamerikanë të flaktë! Kuptove? Hë mo! Ishim të tërë me Lulin! Ai është i vetmi që interesin e Amerikës e ka vënë mbi gjithçka. Këta të Ramës kanë thënë se kanë partinë mbi familjen. Ne Amerikën e kemi edhe mbi partinë.

Qafsha partinë e për kokë të kryetarit, nuk na organizoi Luli! Ne e ndjemë thellësisht vetë. Sepse proamerikanizmin Basha na e ka ngulur shumë thellë. Aty ku s’thuhet….

E mirë. Lamë takim tek stacioni i trenit neve. Kuptohet, të gjithë u mblodhëm në Vorë. Jo thjesht se aty e ka çuar Luli kur qe kryetar bashkie, por edhe sepse, pothuaj të gjithë ne, kur jemi vendosur në kryeqytet, stacionin në Vorë e gjetëm.

Nejse. U ulëm shesh dhe hapëm një pjesë nga buka që kishim me vete.

– Po Saliu, vërtet është me Putinin? – pyeti Tani i Xhikes duke mos shpëtuar dot nga shpërthimi i lëngut të domates që po kafshonte.

Të gjithë, si me buton, ndaluan përtypjen dhe nisën të kontrollonin anash e mbrapa ( disa edhe lart, për të qenë më të sigurt ) nëse Berisha a ndokush prej të tijëve qe shfaqur në beton të hekurudhës.

– Na le ta ham kët çap buk rehat o burr i dheut! – i shfryu Toni i Nadires – Po shkojm me luftu rusin! Kto pun’t e tjera i zgjidh Amerika….

Për një copë here të gjatë dëgjoheshin veç buzë që përplaseshin, dhëmbë që bluanin dhe gëlltitje.

– Eh nonën e nonës! – psherëtiu Gimi. Të gjithë lanë bukën dhe rrufeshëm nisën kontrollin majtas – djathtas, prapa… disa, për forcë zakoni, edhe lart.

– Ça ke mor Gim? – i them unë , kur u siguruam se rrezik nuk kishte.

– Ça të kem mor vlla? Kishim tridhjet vjet që e kishim harru rusin. Kush dreqin e lujti? Tani morëm vesh se jo vetëm qenka gjallë, po i armatosur dhe i fuqishëm.

– I fuqishëm është, por jo sa Kina. – hap gojën Genci i Tixhes, që jep edhe mend nëpër portale e nganjëherë e marrin edhe nëpër televizione.

– Po Kinën ça na e fut ktu Genco? – i hidhet Gimi, nga inati pse ia dhjeu argumentin shoku i armëve.

– Asigjo shoku! Ne, edhe Kinën po qe nevoja, e thyjm në mes!

– Kush “ne”? – pyeti Tani i Xhikes

– Amerika pra! – thotë Genci i Tixhes

Ndërkohë një lopë që kulloste rrotull u zhvendos mbi shinat e trenit. Bari aty ishte i lartë e i bollshëm.

– Edhe qumshti u rrit… – psherëtiu trishtueshëm Gëzimi

– Normale Gzimo!! Krizë globale vlla! Rritur nafta, gazi, gruri. Pandemia i mbylli njerzit në shpija.

– Pandemia u bo kastile për me varfëru Perëndimin – ndërhyri Genci i Tixhes

– A ç’ia fut pordhës edhe ti ere! – ia plasi aty për aty Gimi, që s’e duronte dot – Se mos na thu se ene kjo lufta e Amerikës me Rusinë në Ukrainë është lojë. Se ti e ke zakon…

– O vlla! – u nxeh Genci i Tixhes – E ka thënë Napoloni; “Parja bën luftën”. E ka thënë Klinton: “Është ekonomia o budalla”! Shiko pak si kanë fluturu çmimet dhe si u tronditën bursat. Ata që drejtojnë fijet  po fitojnë pare me kamiona.

– Ik mër koqe! Pra ti thu se Biden është gur shahu dhe me Putinin po bojnë lojën e atyre që rrotullojnë paret e botës?

– Kush e tha kte me?

– Ti pra po tu! Që kta po bojnë sikur po bojnë luftë që ata që i kontrollojnë të bëjnë pare e më shumë kontroll botës

– Ik ere pirdhu! Kush ta tha kte ty…

Ndërkohë lopa vazhdonte të kulloste mbi shina. Edhe e zoti lopës, një burrë i moshura, qe afruar tek platforma e betonit.

– O xhaje! – i thërret Tani i Xhikes – Hiqe ate lopën që aty se vjen treni e ta bën copa

– Ku ka tren e çun? – qeshi plaku

– Si mër s’ka tren? – desh me u tall Tani i Xhikes. – Po ky stacioni, këto shina, ata vagonët atje?

– Mir e ke o çun! Të gjitha janë. Veç tren nuk ka. Ku doni me shku juve?

– Në luftë! – thirra heroikisht unë

– Aaa! Je me vonesë – tha bariu i lopës – Lufta mbaroi

Neve ngrimë. Po tallej?

– Si mbaroi mër xhaje? Po lufta është lënë për nesër. E lexuam tek CNN. E ka thënë CIA : të mërkurën – tha me zë të mekur Genci i Tixhes.

– Mbaroi o çun! Rusi po tërhiqet. Te Reuters e lexova. – na e ktheu xhaja

Çfarë dëshpërimi, turbullimi dhe gëzimi njëkohësisht!! Një herë që na u dha mundësia ti tregonim Amerikës që ne japim jetën për të, na la treni. U gëzuam shumë në fakt që kjo luftë e tretë botërore mbaroi pa u shkrepur asnjë pushkë, por ishim të turbullt për përfundimin. Fitoi Amerika?  Fitoi Rusi? Fituan ata që luajnë fijet e pareve? Po Basha a del i fituar nga gjithë kjo histori?

Të munduar nga mëdyshjet dhe zhgënjimet morëm rrugën në këmbë nga Vora në Tiranë. Se furgonë s’kishte më dhe ashtu, të veshur për luftë, asnjë veturë s’na ndalonte. Gjithësesi krenarë për fitoren. Kishim zbythur rusin…

Zjarr Tv Ad