Ambasada Amerikane ka organizuar një takim me rastin e 5 vjetorit të nisjes së reformës në drejtësi, ku ka vlerësuar arritjet e deritanishme.
Nisur nga kjo ngjarje, analisti Andi Bushati tha në emisionin ‘Shock’ se Ambasada Amerikane po sillet si zyrë e propagandës së kryeministrit. Sipas analistit, sistemi i drejtësisë në vend ka dështuar pasi përfaqësuesit e tij i shërbejnë qeverisë Rama.
‘Ajka e reformës në drejtësi, SPAK dhe gjykata e posaçme janë thjesht shërbëtorë të regjimit dhe këta janë njerëzit që po mbron Yuri Kim’, tha Andi Bushati.
Ai tha se t’u flasësh shqiptarëve për arritjet e reformës në drejtësi është njësoj si të tallësh me ta dhe më pas radhiti çështje me rëndësi që drejtësia shqiptare i ka lënë në hije.
‘Kanë mbyllur çështje për koncesionet, patronazhistët, zgjedhjet e vjedhura dhe ambasada përsëri lavdëron protagonistët e këtij procesi’, u shpreh Andi Bushati.
Ndërsa për Baton Haxhiun, sistemi i drejtësisë do kohë dhe nuk mund të ndërtohet me idealizëm.