Andi Bushati: Linçimi i Gjyqtares së Elbasanit, si fetishizim i kauzave të parëndësishme

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Media të djathta dhe të majta, i madh dhe i vogël, fanatikë të rrjeteve sociale dhe ata që i përdorin ato për të mos u dukur jashtë mode, kanë vendosur në turrën e druve një gjyqtare të Elbasanit për videot që ajo ka hedhur në rrjet. Enkeleda Kapedani, kryetarja e gjykatës së këtij qyteti që prej fundvitit të kaluar, po kryqëzohet për videot prej veline që ka regjistruar në zyrën e saj, për afishimin e buzëve mishtore, njësoj si modelet gjithë botoks të instagramit, për zgjedhjet e këngëve me “mafia”, ndërkohë që qyteti ku ajo duhet të bëjë drejtësi lëngon në peshën e kirmit. Gjithandej ka plasur një fushatë për linçimin e saj, aq sa si kurrë ndonjëherë më parë, reaguan me deklarata urgjente edhe Inspektori i lartë i Drejtësisë, apo ministrja Etilda Gjoni që e etiketoi si “turp i drejtësisë”.

Të gjithë kanë arritur konsensusin për goditjen e saj. Në fakt, nga videot e Tik Tokut që kemi parë deri më tani, Enkeleda Kapedani, më shumë se sa të ngjall urrjtje, të bën për të qeshur. Ajo nuk ngjan aspak me magjistratët e korruptuar që bëjnë pazare në emër të ligjit, që janë vënë në shërbim të bandave (ndonëse në arkivat e Lapsi.al emri i saj del në lirimin e dyshimtë të një të burgosuri), apo u kërkojnë rryshfet qytetarëve. Në rastin më të keq ajo është një kopje e atyre çupulinave mendjelehta që çajnë përpara me lajka dhe budallëk, për të cilat ekzistenca në botën e dukjes mbetet një qëllim parësor.

Por, sado komike të duket kjo gjyqtare përmes prezantimit që iu bë nga videot që ka prodhuar vetë, edhe në garën për qesharakëzim, ajo nuk i kalon bëmat e drejtësisë së reformuar që kemi parë deri më tani. As dredhja e saj e belit teksa hyn në zyrë, as muzika tallava që zgjedh, nuk janë më komike sesa arrestimi i të vdekurve nga SPAK, sesa betimi i një kandidateje për Gjykatë Kushtetuese, tek një noter buzë Lanës apo sesa përpjekja për të folur në gjuhë të huaj e ish kryeprokurores së përkohshme. Po, atëherë pse lehtësia e papërballueshme e Enkeleda Kapedanit prodhoi një urrejtje konsensuale, valën e së cilës nuk e kanë ngritur dot as gafat më mostruoze të kolegëve të saj? Pse ajo goditet me unanimitet nga të gjithë, ndërkohë që emrat e atyre që nuk hetojnë krimet zgjedhore, bëmat e të shkuarës dhe të tashmes, grabitjen e parave publike mbesin gjithmonë në errësirë?

Pse ajo po vizatohet si delja e zezë e një drejtësie që para se të jetë qesharake është e kapur politikisht dhe e korruptuar? Ndoshta tek kjo pyetja e fundit duhet kërkuar edhe përgjigja e furisë së shproporcionuar që u ngrit për kryegjykatësen e Elbasanit. Sepse të pa vendosur dhe të pa unifikuar për të reaguar ndaj kirmeve të mëdha, një shumicë nga ne janë shndërruar në ripërtypës të ushqimit që i jep Facebook, Instagram, apo Snapchat. Në këtë pikë, rasti i Enkeleda Kapedanit është shumë ilustrues për një deformim që po ndodh në një shoqëri që po dashurohet gjithjnjë e më shumë pas kauzave të vogla dhe gjithnjë e më pak për probleme thelbësore. Në kohët e fundit, në Shqipëri, janë zhvilluar protesta për keqtrajtimin e kafshëve në Tiranë, për disriminimin e personave që kanë prirje të ndryshme nga shumica, për ndonjë keqtrajtim ndaj esksit të dobët por asnjë e tillë për vdekjen e një minatori në galeri, për humbjen e jetës të një punëtori ndërtimi në kullat e ndonjë oligarku, për nxjerrjen e jashtëligjshme nga shtëpitë të dhjetra banorëve që bien viktimë e planeve rilindase.

E gjithë kjo panoramë, shënon fatkeqësisht, zbehjen vullnetit për të ndryshuar apo korigjuar sistemin dhe kamuflimin e tij me mbajtjen ndezur të kauza të paqena. Kjo hyrje përfundimtare në shoqërinë e spektaklit, që lejon ti retushosh sipërfaqen pa i prekur thelbin, është shpjegimi më i arsyeshëm për proporcionet që morën videot skandaloze të gjykatëses së Elbasanit. Prandaj dhe Enkeleda Kapedani u ndesh me pothuajse unanimitetin e një furie armiqësore që nuk e kanë pësuar as gjykatësit apo prokurorët që kanë prodhuar bëma shumë më të rënda sesa përdredhja e të pasmeve të saj. Në këtë pikë, ajo nuk është thjeshtë një viktimë rastësore e popullit që përdor rrejtet sociale, ajo është shumë më tepër sesa kaq. Ajo është një provë se kemi hyrë në periudhën e dorëzimit, aq sa nuk do jetë çudi që aktet më të mëdha të disidencës, ashtu si dikur, të konsiderohen barcaletat shpesh pa humor, nga ato që prodhoheshin në kohën e diktaturës së proletariatit në Shkodër.

 

Zjarr Tv Ad