Analisti Andi Bushati komenton vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e quajtur si hipokrizi.
Bushati tha në emisioni “Shock” në Euronews Albania, se gjatë qeverisjes së Berishës, zyrtarët amerikanë e quanin atë “burrë shteti”, ndaj sipas tij duhet parë pse vendimi për shpalljen non-grata është dhënë pas kaq kohësh.
Për Bushatin, ky vendim është edhe një mesazh për opozitën shqiptare që të mos organizojë protesta kundër qeverisë, pasi siç u shpreh ai, SHBA-së i intereson më tepër stabiliteti sesa demokracia.
Pjesë nga deklarata e Bushatit në Euronews Albania:
Pyetja është pse tani? Sepse duke zbërthyer pse tani, ne arrijmë të kuptojmë edhe qëllimin pse është bërë kjo. Qëllimi është për t’i hapur rrugën regjimit me vota të vjedhura të Edi Ramës, amerikanët i japin prioritet stabilitetit para drejtësisë. Sali Berisha do i kishte patur këto pasoja kohë më para.
Nëse sot flasim për korrupsion të dukshëm dhe minim të demokracisë, ka dy çështje, korrupsioni në Gërdec dhe minimi i demokracisë me vrasjen e protestuesve, pikërisht në këtë kohë Berisha quhej burrë shteti. A ka këtu hipokrizi? Pse atëherë quhej burrë i mirë nga amerikanët? Ka ndyrshuar vetëm fakti që Berisha ishte në pushtet.
Kur ka qenë më i korruptuar Berisha? Mandatin e parë? Kur bëri skemat piramidale? Por ky Berishë u amnistua nga Xhorxh Bush, në vizitën e vetme të presidentit amerikan në Shqipëri.
Pse sot? Se sot ekziston rreziku që opozita të protestojë dhe të shkundë sistemin për votën e vjedhur. Dhe i çohet një sinjal opozitës, nëse protestoni kështu do ta pësoni. Amerika, kur Berisha ka bërë krime, ka mbrojtur krimet e Berishës, dhe kur Rama bën krime ata mbrojnë Ramën. Atyre u intereson ai kuadri i stabilitetit. SHBA-së nuk i intereson kukulla që është këtu.