Ish-kryetari i PD-së në Korçë, Andrea Mano, e quan arrogant Lulzim Bashën dhe thotë se dega e Partisë në qytetin juglindor u shpërbë, pasi lidershipi në Tiranë u tregua arrogant dhe nuk mbështeti projektin e tyre.
“Largimi nga funksionet është një kulturë që duhet të futet në Shqipëri, duhet të ishte bërë qoftë nga kryetari, qoftë nga strukturat drejtuese. Kemi pasur edhe shpresa mos ndoshta humbja do të lexohej drejt nga kryetari i partisë, do të kishim zhvillime që do ta bënin më demokratike partinë. Por pamë një lloj arrogance nga kryetari, qoftë në rizgjedhje, qoftë me ato që bëri më pas”, tha Mano në një intervistë për Ditarin në A2.
“Ne gjykuam që projekti i nisur në Korçë, i cili nuk pati mbështetjen e kryetarit Basha, nuk kishte arsye pse të ekzistonte. Ne jemi munduar ta lexojmë qartë dhe pastër rezultatin në zgjedhje. Këta njerëz që kanë drejtuar partinë kanë menduar se dorëheqja do t’i bëjë mirë Partisë Demokratike”.
Mano ishte pozicionuar në vend të 7 në listën e PD-së për Korçën në zgjedhjet e 25 prillit, por ai mohon që të ketë dhënë dorëheqjen, për arsye se është ndjerë i pavlerësuar.
“Pritshmëria nuk ka qenë 5 mandate. Ju garantoj që ka qenë një nga degët më të mira në Shqipëri, por me sa duket në politikë nuk është në interesin, e disa personave kur ke një degë të fuqishme, fillojnë përçartjet. Pritshmëria që kemi pasur ka qenë 6 mandate për të siguruar fitoren në qarkun e Korçës”.
Ai thotë se për rezultatin e qarkut përgjegjës është drejtuesi politik. “Gjithçka nis fillimisht te kryetari i partisë dhe në fund të fundit, është përgjegjësi e tij në momentin që nuk merr rezultatin”.