Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i është përgjigjur deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët e akuzuan për shkelje të rregullores pas anulimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
Sipas Enkelejd Alibeajt, mbledhja për diskutimin e heqjes së imunitetit ndaj deputetit Alqi Bllako, të cilin SPAK kërkon ta arrestojë, duhet të zhvillohet edhe pse ai ka dhënë tashmë dorëheqjen.
Por sipas shkresës që Nikolla i ka dërguar deputetëve të PS-së, Kërkesa e SPAK-ut nukë shtë më objekt shqyrtimi, “pasi çështja për të cilën është kërkuar mbledhja e Këshillit të Regullores dhe Mandateve nuk ekziston më”.
“Alqi Bllako, ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorë nga ky mandat. Referuar nenit 71, pika 2 shkronja “b” e Kushtetutës, mandati i deputetit Z. Alqi Bllako mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.