Bashkim Murataj, u konsiderua si një prej kokave të një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha kanabisi në drejtim të Greqisë.
Zbulimi u tha se erdhi nga një kontroll rutinë aso kohe në dy kamionë të ngarkuar me krunde dhe që kishin destinacion vendin fqinjë.
Bllokimi i mjeteve u bë në pikën kufitare të Kapshticës ndërkohë që u vunë në pranga dy shoferët e mjeteve të cilët atëherë dhe as më vonë nuk kanë pranuar asnjëherë që kishin dijeni për lëndën narkotike në mjetet e tyre.
Policia pas kontrollit zbuloi se bëhej fjalë për më shumë se 1 ton kanabis dhe pas hetimeve intensive çështja i kaloi Prokurorisë së Posaçme. Hetimet dhe verifikimet sollën edhe dy persona të tjerë në pranga dhe lëshuan një urdhër-arrest për atë që u konsiderua edhe si koka e grupit kriminal.
Bëhej fjalë për Bashkim Muratajn, i cili u arrestua gati 2 vite pasi ishte lëshuar urdhri.
Ai doli në gjykatë në kuadër të grupit kriminal dhe trafikut të drogës, ndërkohë që vendimi i Shkallës së Parë është apeluar dhe edhe shkalla e dytë ka lënë në fuqi të njëjtin vendim!
SHQYRTIMI NË APEL
Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg 58-vjeçarin Bashkim Murataj, i akuzuar për tentativën e trafikut të 1 ton drogë drejt Greqisë.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 09.09.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale nr. 34 akti, datë 17.03.2022 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurit Bashkim Murataj, ku trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi, Engert Pëllumbi dhe Lutfije Celami, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 22.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Murataj është një ndër personat e arrestuar për tentativën e trafikimit të 1 ton drogë drejt Greqisë.
Bashkë me të janë arrestuar dhe disa persona të tjerë, të cilët SPAK-u i cilëson si grup që merrej me trafik droge dhe “koka” ishte pikërisht Murataj.
Sipas SPAK, më datë 12.02.2019 duke u gdhirë data 13.02.2019, të pandehurit Adrian Sako dhe Zija Hidri, në bashkëpunim me të pandehurit Bashkim Murataj dhe Gentjan Ramadani, nën drejtimin dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal nga ana e të pandehurit Bashkim Murataj, kanë tentuar të trafikojnë 104 (njëqind e katër) thasë të mbushur me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, në peshën e përgjithshme 1074.2 kg, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kapshticë.