Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Europës “përplas” ministrin serb me diplomatin gjerman, Sarrazin: Do të bëjmë çdo gjë për t’i ndihmuar

0
79
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se Kosova i përket Këshillit të Evropës, duke nxitur reagime në Beograd.

Ai qëndroi të premten në Prishtinë dhe gjatë një konference për media, pas takimit me kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla, shprehu mbështetjen e tij, pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.

“Gjermania e njeh shtetin e Kosovës dhe natyrisht që ne vërtetë duam që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve, dhe ne jemi për këtë aplikim [në Këshillin e Evropës], madje e kemi mbështetur dhe po ashtu ne do të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë për të ndihmuar në këtë proces dhe të jemi koordinator së bashku me ju”, tha ai.

Sarrazin më 14 maj ka shpërndarë një video nga kjo konferencë, gjë që ka nxitur reagimin e ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, shkruan REL.

Vullin tha se këto deklarata të të dërguarit gjerman janë “hipokrizi dhe ofenduese”.

“Të thuash në Prishtinë se e ashtuquajtura Kosovë duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe në Beograd të flasësh për perspektivën evropiane të Serbisë është hipokrizi, por edhe ofenduese”, tha Vullin përmes një deklarate.

Sipas tij, në Këshillin e Evropës nuk ka vend për Serbinë dhe Kosovën, pasi kjo e fundit, sipas tij është “nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara”.

“Shpesh Bashkimi Evropian paralajmëron Serbinë se nuk mund të ulet në dy karrige, pra le të lejojmë që ata ta praktikojnë këtë për vete, BE-ja nuk mund të ulet në dy karrige dhe të kërkojë që Serbia të përafrojë politikën e saj me bllokun dhe në të njëjtën kohë të mbështesë Prishtinën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, u shpreh ai.

Bashkimi Evropian megjithatë nuk ka komentuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, kanë mirëpritur aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.

Zjarr Tv Ad