Apolonia zyrtarisht në Superiore

0
20

Tashmë zyrtarisht ekipi i Apolonisë është pjesë e kategorisë Superiore dhe sezonin tjetër do të luajë në elitën e futbollit shqiptar.

Gjata dhe Mihanas vulosën takimin e derbit myzeqar ndaj Lushnjes me rezultatin 1-2 duke e rikthyer sërish ekipin fierak në Kategorinë Superiore.

Nuk munguan rastet për të dyja ekipet në stadiumin “Roza Haxhiu“ të Lushnjës, një derbi i cili ishte i zjarrtë dhe që u luajt me grint.

Fierakët e Artan Mërgjyshit kaluan të parët në avantazh falë Gjatës në minutën e 25-të, ndërsa dyfishimi i shifrave do të vinte në pjesën e dytë të takimit nga Mihanas duke prerë zyrtarisht biletën për rikthimin në elitë.

Ndërkohë vetëm 10 minuta më vonë Lushnja rindezi sërish shpresat, duke ngushtuar rezultatin me anë të golit të shënuar me kokë nga Pepa.

Megjithatë, ai gol do të vlente më tepër për statistikë, pasi ndeshja do të vulosej me shifrat 1-2, me Apoloninë që e sigurt ngjitet në Superiore.

Kujtojmë se pas 5 vjetësh në Kategorinë e Parë , ekipi fierak arrin sërish që të ringrihet në Superiore, falë dhe investimeve të shumta që janë bërë nga presidenca e klubit.

Gjatë viteve të fundit Apolonia fuqizoi akademinë e saj të futbollit ku promovoi shumë të rinj premtues në të gjitha ekipet zinxhir si dhe në bazën e ekipit të madh të qytetit.

Po ashtu u investua në stadiumin e Apolonisë “Loni Papuçiu”, ku brenda pak kohësh do të shikohet projekti i ri dhe një pamje e re e stadiumit.

Pas shumë investimeve  të bëra gjatë viteve të fundit, tashmë ringritja në Superiore e Apolonisë është një sukses mëse i merituar, duke ruajtur kështu edhe traditën e kahershme të klubit në Kategorinë Superiore.

Sukses ky po ashtu edhe për tifozët e zjarrtë fierak që nuk e kanë braktisur kurrë ekipin e tyre të zemrës.

Tashmë pritet një sezon dinamik i Apolonisë në Superiore, me një ekip plot me talente të rinj dhe premtues, dalë nga akademia e futbollit të qytetit.