Ish-ministri Arben Ahmetaj ka dalë pas më shumë se pesë orësh nga Prokuroria e Posaçme, ku është thirrur mesditën e sotme për të dëshmuar para prokurorëve.
Ahmetaj është parë të hyjë në ambientet e SPAK nga dera e përparme, në orën 12.00 të kësaj të enjteje, dhe ka dalë vetëm pak minuta më parë.
“Kam sqaruar pozicionin tim për hetimet e nisura”, ka thënë shkurtimisht ish-ministri dhe deputeti socialit, duke mos kursyer as batutat me gazetarët që e prisnin prej orësh në derën e Prokurorisë së Posaçme.
Arben Ahmetaj është thirrur në SPAK, në kuadër të hetimeve që po bëhen ndaj tij për katër akuza, për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme. Gjatë paraqitjes në SPAK, ai qenë i shoqëruar nga avokati tij Henrik Ligori.
Pak javë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha. Gjykata ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën, duke lënë kështu në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO.