Arben Imami akuzon Lulzim Bashën, se ka hequr nga lista e anëtarësisë së PD për Zgjedhjet e 13 Qershorit, 30 mijë themelues të kësaj force politike. Sipas Imamit, këta themelues janë larguar pasi nuk kanë qenë dakord me politikat e Bashës.
“Heqja e 30 mijë anëtarëve nga lista, që janë themeli i PD. Keta gjithë këto vite nuk bashkohen me politikat e Lulzim Bashës. Tani kjo pjesë edhe formalisht u përzu nga PD-ja. Sa shanse ka PD të fitojë zgjedhjet e ardhshme, kur 25-30% e anëtarësisë që nga themeli i PD janë përzënë?”, tha Imami.
Më tej, ai i quajti si të montuara zgjedhjet e vitit 2017.
“Në vitin 2017 z. Basha ka marrë 25000 vota më pak se në vitin 2021 dhe arsyeja është se zgjedhjet e para 4 vitesh kanë qenë totalisht të montuara. Këto zgjedhje janë përtej njohjes apo mosnjohjes. Kandidatët nuk kanë pasur listat. Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat e partisë. I them z. Basha që ti nuk je kryetar i një subjekti komunist, që i mban të fshehta listat e partisë. Në një parti si PD nuk mund të ketë lista të fshehta të partisë”, tha ai.