Komisioni Hetimor për Inceneratorët pas rinisjes së punimeve, zbriti në terren për të inspektuar nga afër procesin e incenerimit të mbetjeve, në tre inceneratorët e vendit në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Deputeti socialist Arben Pëllumbi, tha në një intervistë për “Breaking”, se opozita kërkoi vetëm dy kolegë që të shkonin për inspektim duke prishur sipas tij vizitën. Opozita në komisionin hetimor ndërtoi një strategji tjetër ku kërkoi vetëm 2 kolegë të shkonin në terren. Ne nuk vajtëm për ekskursion apo për të përfituar nga fakti që ishin mediat. Ne ishim në mbledhje në terren. Në këtë aspekt na erdhi keq sepse ata e prishën vizitën”, tha Pëllumbi.
Ndryshe nga opozita që e sheh shqetësues mungesën e incenerimit, për Pëllumbin ky proces nuk është në rëndësi të qytetarëve. Sipas deputetit, me rëndësi është transferimi i tyre në një zonë që nuk shkakton ndotje mjedisi.
Çështja kemi apo jo incenerim, nuk ka të bëjë me interesin e qytetarëve. Për ata është e nevojshme që mbetjet të largohen dhe nuk ka ndotje në mjedis. Ajo që neve na intereson dhe paguajmë është që mbetjet e këtyre qyteteve kur shkojnë në zonën e përpunimit të shkojnë të përpunohen në mënyrë të integruar.
As mos të digjen në ajër dhe as uji që nxjerrin të derdhen në nëntokë dhe të bashkohet me ujërat nëntokësor. Në inceneratorët që ne inspektuam, pamë që kjo bëhej veçse në të Fierit nuk bëhet që pritet të bëhet kolaudimi”, shtoi Pëllumbi.