Argjentinasit 150 ditë karantinë

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prej gati 150 ditësh, kryeqyteti i Argjentinës mban në fuqi masa kufizuese për qytetarët si një nga rajonet më të prekura nga koronavirusi. Një vendim i qeverisë për ta shtyrë më tej afatin e karantinës ka revoltuar qytetarët.

Vendimi i qeverisë së presidentit argjentinas, Alberto Fernandez, për të shtyrë masat kufizuese ndaj koronavirusit është pritur me demonstrata të gjera qytetare.

Kryeqyteti i vendit, Buenos-Ajresi, qëndron nën regjimin e karantinës nga muaji mars apo prej gati 150 ditësh, e duke parë situatën me pandeminë në vend, autoritetet kanë njoftuar se masat do vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi të paktën për dy javët e ardhshme.

Protestuesit të hënën sfiduan urdhrat për distancim social duke tubuar në rrugët qendrore me thirrjet për liri dhe me slogane kundër qeverisë.

Disa nga pjesëmarrësit dënonin vaksinat dhe pretendonin se izolimi i qytetarëve nga kovidi-19 është një komplot global për t’i nënshtruar njerëzit.

“Nuk mendoj se presidenti po tregohet i sinqertë. Fshihet diçka tjetër pas kësaj, pas vendit me karantinën më të gjatë se gjithë të tjerët.”

Protesta qytetare e mbështetur pjesërisht nga opozita e vendosi theksin edhe te temat si korrupsioni dhe te tkurrja ekonomike që pritet të arrijë 12 për qind këtë vit, duke prodhuar miliona të varfër dhe të papunë të rinj në shtetin e tretë më të fuqishëm të Amerikës Latine.

Kritika të forta u drejtuan edhe ndaj planit të presidentit Fernandez për reformën në drejtësi, që parasheh shtimin e gjykatave federale për të reduktuar vendimmarrjet politike të gjykatësve.

Pala kundërshtare shprehet se ky ndryshim tenton manipulimin e sistemit ekzistues.

“Ne e kundërshtojmë këtë lëvizje kundër demokracisë. Duam që qeveria të respektojë ndarjen e pushteteve dhe të mos krijojë ligje që nuk ndëshkojnë të korruptuarit.”

“Për fat të keq këta po e shkatërrojnë vendin. Unë nuk dua të jetoj në Venezuelë. Jam në Argjentinë dhe dua që vendi im të bëhet më mirë.”

Presidenti i Argjentinës, Fernandez, bëri apel të hënën për unitet popullor në ballë të kësaj krize që ka goditur ekonomikisht dhe fizikisht shoqërinë, ndërsa kërkoi ndërgjegjësim dhe jo mohimin e përmasave të pandemisë që në vend ka prekur rreth 300 mijë qytetarë dhe u ka kushtuar jetën mbi 5 mijë personave.

Zjarr Tv Ad