Panorama raporton se Arjan Tase sot në gjykatë ku doli për vlerësimin e masës së sigurisë u ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të vogëlushes 7-vjeçare Jonada Avdia. Mësohet se Tase ka kërkuar edhe falje ndaj Policisë së Shtetit për veprimin e tij që solli vdekjen e të miturës. Panorama raporton se ish shefi i policisë nuk e ka kundërshtuar vendimin e marrë sot nga gjykata dhe akuzën ndaj tij.
Të premten në gjykatë Prokuroria e Vlorës kërkoi masën “arrest me burg” për Tasen për akuzën “vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”. Tase akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.
Për Arjan Tasen, deri më tani ishte bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e klasifikoi ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg. Por Prokuroria e Vlorës, e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet, në varësi të dëshmive, dinamikës së ngjarjes, si dhe, natyrisht, dëshmive të personave prezentë në vendngjarje dhe të vetë drejtuesit të gomones, Tase, ka ndryshuar sot akuzën.
Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit që ish-punonjësi i Policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7- vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë. Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit kanë ngritur akuzën për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.
Panorama.al