Prokuroria deklaroi se pas arrestimit te dy zyrtareve te policise te akuzuar se favorizionin kultivimin e kanabisi dhe bashkepunonin me personat qe kryenin kete aktivitet, ka deklaruar se personi i vrare ne 2016, Elton Çiça, i implikuar ne trafiqe, “komandonte” emerimet ne policine e Tepelenes.
Me saktesisht, prokuroria ben me dije se i arrestuari Haki Hasanbegaj, shef rendi ne policine e Vlores, ka qene shef komisariati ne Tepelene ku bashkepunonte me Çiçan dhe persona te tjere. Elton Çiça, sipas prokurorise ka qene i informuar per personat qe do ta zevendesonin Hasanbegajn ne drejtimin e policise se Tepelenes.
Deklarata e plote e Prokurorise
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, dy ditë më parë janë lëshuar urdhër-arresti për disa persona, përfshirë edhe punonjës policie, si pjesë e një grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimin për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ender deri më tani, e mbjellë në fshtara të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasit:
1. Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë
2. Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë
3. Musa Bedinaj, kultivues, organizator
Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre
Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasanbegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorëve, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor.
Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në Tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisarit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, duket se një pjesë e këtyre kultivuesve kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij. Nga hetimi rezulton se Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiça, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë. Çiça dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiça rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për një Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Po ashtu, Çiça rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal. Njëkohësisht rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedurial penal. Po ashtu rezulton se secila nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë krijuar lidhje të mëparshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta.