Arrestimi i Ilir Metës, SPAK zbardh akuzat dhe ‘zbërthen’ dosjen për kreun e PL-së dhe Kryemadhin

0
116
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

SPAK në bazë të dy hetimeve të hetuara fillimisht të ndara, por të bashkuara në një të vetëm gjatë javëve të fundit e ngarkon me përgjegjësi penale kreun e PL-së, Ilir Meta.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime se ai është përfshirë në të paktën 3 raste në korrupsion gjatë ushtrimit të detyrave që ka mbajtur në të shkuarën. Më pas dyshohet se ka kryer pastrim të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe ka fshehur pasurinë e tij.

Dy dosjet që kanë prodhuar masën e sigurimit arrest në burg për kreun e PL-së, lidhen me dosjen CEZ-DIA dhe aty ku po hetohej një lobim i LSI e disa ndërhyrje kirurgjikale të bëra nga Meta dhe Kryemadhi.

Dyshohet se pagesat për këto ndërhyrje nuk ishin deklaruar. Sipas SPAK janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

“1- Është provuar se ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura. Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e ministrit, detyrë, e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare”, – thuhet në dosje. SPAK bën me dije se “Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”. “Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.

3- Gjatë hetimit ka rezultuar, gjithashtu, se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).

4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Në dosje thuhet:

“5- Për përudhën 2009- 2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish- Bllok”, i deklaruar si i financuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer, gjithashtu, me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në mars-nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 euro. Nga këto shpenzime, 86.891 euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe shumën 100.000 euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”,- parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal. Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019″.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe analizës së provave, në datën 09.10.2024 Prokuroria e Posaçme iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve. Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:

“1. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.

3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal. 4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal”.

SPAK arreston Ilir Metën, masë edhe për Kryemadhin, Pirro Xhixhon e Ema Çokun

Meta u vu në pranga rreth orës 12:20 nga agjentët e BKHsë te Kthesa e Kamzës, teksa po shkonte drejt selisë së partisë. Ai kishte planifikuar konferencë për shtyp në orën 13:40. Po me urdhër të SPAK, “Detyrim paraqitje” është caktuar ndaj ishbashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Presidenti i PL-së, Ilir Meta, po kthehej nga Kosova dhe është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e BKH-së nga pika kufitare e Morinës, pasi është futur në territorin e Shqipërisë. Agjentët e BKH-së dhe forcat e policisë u “maskuan” për të mos u zbuluar pasi përdorën automjete modeste për të lëvizur. Ata kanë ndjekur makinën ku udhëtonte Ilir Meta nga Morina deri te Kthesa e Kamzës, ku edhe i vendosën prangat. Dy mjetet ku udhëtonin efektivët i kanë bllokuar rrugën makinës ku ndodhej presidenti i PL-së, ku njëri prej automjeteve të policisë, siç është dukur edhe nga pamjet, ka qëndruar para, ndërsa tjetri pas. Më pas agjentët e BKH-së dhe efektivët e Forcave Speciale e kanë nxjerrë nga makina me forcë dhe z.Meta është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. SPAK ka vendosur masa sigurie edhe ndaj dy personave të tjerë përveç ishPresidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi. Pirro Xhixhos i është vendosur “Arrest shtëpie” në mungesë, ndërsa Ema Çoku u la në detyrim paraqitje. Pirro Xhixho është babai i Erisa Xhixhos, zv.presidentes së Partisë së Lirisë. Pasi la ambientet e Drejtorisë së Policisë, Meta u prit nga mbështetës të shumtë, ndërsa u dërgua në Burgun e Sigurisë, ku do t’i duhet të qëndrojë deri 72 orë derisa të dalë përpara togave të zeza për verifikimin e masës së sigurisë. Njëlloj si simpatizantët e Partisë së Lirisë, edhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, nuk e fshehu tensionin teksa konfirmoi tri akuzat e rënda të klientit të tij. “Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani dhe me ndihmën e mashave, ish-bashkëpunëtorët e Metës kanë formuar një vendim, të cilin ne sapo e kemi marrë. Qëndrimi i tij është qartë, do të përballet me procesin. Janë tri akuza, korrupsion, pastrim i produkteve dhe mosdeklarim i pasurisë. Kryemadhi është nën hetim. Ishte një takim si çdoherë tjetër, vetëm në një ambient ndryshe. Mënyra se si është arrestuar është banditeske, rrëmbyer në rrugë ish-Presidenti, ish-Kryeministri i vendit”, – deklaroi Gjokutaj.

REAGIMI

Ish-Presidenti Ilir Meta reagoi në “Facebook” pas arrestimit mesditën e së hënës me urdhër-arresti të SPAK. Nga qelia ku ndodhet, në faqen e Metës në “Facebook” është bërë një reagim zyrtar nga personat që e menaxhojnë, ku shkruhet se nga sot nis një epokë e re në luftën ndaj asaj që e quan “narkoshtet”. Ilir Meta thotë se arrestimi i tij ishte rrëmbim në mënyrë banditeske. Kujtojmë se Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ilir Meta po qëndron në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza” deri kur të dalë përpara gjykatës për vlerësimin e arrestimit, që pritet të ndodhë pas 48-72 orë.

“Falënderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani. Po kështu, nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me narkoshtetin e instaluar brutalisht. Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë. Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat. Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë. Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”.

Kujtojmë se Meta ka qenë disa herë në SPAK, ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi. Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-Presidentin Ilir Meta, por edhe Kryemadhin, kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Kryemadhi: Ndalim çnjerëzor në mes të rrugës i Ilir Metës

Çnjerëzore e konsideron deputetja Monika Kryemadhi arrestimin në mes të rrugës së ish-Presidentit Ilir Meta me urdhër të SPAK. Në një reagim në rrjetet sociale, Kryemadhi shprehet se tashmë është vënë edhe ajo zyrtarisht në dijeni për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj, për të cilën është caktuar nga gjykata detyrim paraqitje. Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Ilir Metës, i konsideron akuza të rreme veprat penale ndaj saj dhe shprehet se ka autorizuar avokatët për t’u përballur juridikisht.

“Krimet monstruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të ‘SKY’ dhe ‘ECC’, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës. Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund t’u bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes proceseve gjyqësore pa prova dhe pa fakte. Krimet e disa prokurorëve të Prokurorisë Speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke iu nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrenë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare”, – deklaroi Kryemadhi./Gazeta Panorama

Zjarr Tv Ad