Analisti Fatos Lubonja e ka cilësuar arrestimin e ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka si një skenar të mundshëm ku është përfshirë dhe SPAK. Në një intervistë për “News24”, Lubonja thotë se në këtë skemë mund të jetë përfshirë dhe kryeministri Edi Rama. Lubonja shtron pyetjen nëse janë vërtetë amerikanët që ushtrojnë presion për drejtësinë, apo është kryeministri Rama pas kësaj historie.
“Ajo që duan njerëzit të dinë është kjo është një drejtësi e pavarur që vepron apo një drejtësi me skenar të përgatitur ku ndonjëherë skenari të del edhe jashtë parashikimeve. Mendoj që është më afër idesë së skenarëve se sa të një drejtësie të pavarur. Lexova më parë se Prokurori i Elbasanit gënjeu publikisht me historinë e manipulimit përpara zgjedhjeve. Ky njeri është bërë prokuror i SPAK dhe për mua mjafton që nesër të përdoret nga Rilindja për goditjet e veta. Pra nuk kam besim te SPAK. Thuhet se janë amerikanët që bëjnë presione andej, pastaj janë faktet që ulërasin dhe njerëzit duhet të dinë rreth fakteve…Pra çfarë do të bëjë SPAK!? Di që historia ka filluar para disa kohësh… Pas zërave që dolën se Lefter Koka ishte shpallur non-grata, por më pas u tha se nuk është e vërtetë.
Ai shpalli ikjen në mënyrë të çuditshme. Unë ngre pyetjen, nëse ky kryeministri jonë që i di të gjitha këta që shpallen non-grata, ky është në regji bashkë me amerikanët , apo amerikanët janë të pavarur!? Apo është kryeministri regjisori pas kësaj historie? Këtë nuk e dimë akoma. Pra kemi dyshime shumë të mëdha…Të mos harrojmë edhe skemën ku Rama bashkë me Lefterin telefonin Nasip Naçon për të marrë në gjirin e Rilindjes…Tani të gjitha këto të bëjnë të mendosh për një skenar për interesat e veta kush është më i dobëti hiqet qafe dhe të tjerët vazhdojnë lojën” – u shpreh Lubonja.
I pyetur nëse këto hetime mund të shtrihen edhe më tej, Lubonja shprehet se ka pak shpresa që të ndodhë. Sipas tij, angazhimi i SHBA-së për pastrimin e politikës nga të korruptuarit, është një përrallë.
“Po filloi të tërhiqet, atëherë nuk ngelet më gjë…Ne e dimë shumë mirë se si janë lidhjet. 17 firma që ka marrë brenda një dite ajo çështja e inceneratorëve nuk mund të kalojë kështu. Shqipëria është e vogël , por problemi është provat…Unë besoj se nuk do të ketë shtrirje…Projekti që shpresojnë disa se amerikanët kanë marrë pastrimin e Shqipërisë nga politika e korruptuar është një përrallë. Bëhet propagandë, gjendet ndonjë kokë turku sepse të pastrosh Shqipërinë nga ky sistem mua më duket shumë e vështirë. Pra figurativisht shqiptarët kanë vendosur ta zhdukin ndryshe Shqipërinë, duke ikur vetë” – tha Lubonja.