Gazetari Aleksandër Çipa thotë se arrestimi i ish-drejtorit, Thoma Gëllçi është një goditje e fortë për RTSH-në, pasi bie besueshmëria.
Çipa tha në emisionin “Zona Zero” në Top News se sistemi i administrimit të RTSH-së është defektoz dhe duhet të gjendet një formulë për ta bërë funksional dhe të bësueshëm.
“Kjo rikthën në qendër të vëmendjes praktikën e abuzivizmit që e ka mbajtur të ngrirë RTSH-në. Në pikëpamje të marrëdhënies së RTSH-së dhe besueshmërisë ndaj tij, kjo përbën një problem të madh. E ka goditur shumë. Sistemi i admiministrimit të RTSH-së është defektoz dhe kjo rikthen në qendër të vëmendjes nevojën për gjetjen e një formule për ta bërë fuksionale median publike, e cila qartazi përdoret politikisht”, tha Çipa.
Çipa shtoi më tej se nuk e kupton heshtjen e opozitës, ndërsa kërkoi që drejtori i ri të zgjidhet sa më parë.
“Nuk arrij ta kuptoj heshtjen e opozitës për këtë rast. Në RTSH rekrutohen njerëz për arsye punësimi dhe jo merite, nuk ka reagim nga opozita. Pse nuk insistohet që zgjedhja e drejtorit të ri të bëhet brenda afateve “, tha Çipa.
Nga ana tjetër, deputeti i PD, Luçiano Boçi deklaroi se abuzimi i Thoma Gëllçit lidhet me shkeljen e barazisë në tendera, por sipas tij, kjo ndodh rëndom në Shqipëri.
“Abuzimi lidhet me ata që marrin pjesë në tender. Duhet para shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, ku mund të ketë disbalancë në raportet e vlerave monetare.
Shkelja e barazisë në tendera më duket si lojë fëmijësh, pasi kjo ndodh çdo ditë. Shikueshmëria ka rënë, po ashtu edhe besueshmëria e RTSH-së”, tha Boçi.