Pas disa javësh i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Romë të Italisë, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite burg, dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej datës 8 Tetor.
Burime bëjnë me dije për Fax News, se Llalla është arrestuar në Itali në datën 10 Dhjetor. Tashmë Llalla pritet që të ekstradohet drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin. Janë autoritetet italiane ato që do të marrin vendimin për të pranuar apo jo ekstradimin e Llallës.
Ai kishte apeluar disa herë vendimin, me pretendimin se sëmundja e rëndë që kishte mund të përkeqësohej në rast të izolimit, por apelet e tij nuk janë marrë parasysh nga Gjykata.
Llalla u shpall në kërkim për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive” i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.