ARRESTOHET DEKANI I UNIVERSITETIT TË ELBASANIT DHE DY PEDAGOGË

0
1225
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Tre pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe 3 sekserë dhe një student janë vënë në pranga pasi kishin formuar një grup dekan –pedagog-student e sekser duke marrë para për nota kaluese në provime. Të arrestuarit janë Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Albert Riska, 55 vjeç, shefja e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në këtë Universitet Elvira Lumi, 54 vjeçe dhe Erjola Calja, 29 vjeçe, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në po këtë universitet. Në pranga u vunë edhe Petrit Kodra, 53 vjeç, Admirim Kala, 31 vjeç dhe Adem Ngjela, 51 vjeç, që të tre të dyshuar se kryenin rolin e sekserit mes studentëve dhe pedagogëve për marrjen kundrejt pagesës së notave kaluese në provime. I arrestuar është edhe studenti Marius Calja. Ata u vunë në pranga në kuadër të operacionit “Dekani” finalizim i një hetimi disa mujor nga Policia dhe Prokuroria e Elbasanit mbi bazën e një procedimi të nisur më 20 shtator të vitit kaluar. Ky procedim u bashkua me një tjetër hetim ndaj shtetasit Petrit Kodra i regjistruar më herët me të njejtim dyshim. Sipas Dosjes hetimore, personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve. Shuma që paguanin studentët ishte deri në 30 mijë lekë të reja. Më 8 maj, Gjykata e Elbasanit kishte pranuar provat e prokurorisë dhe kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj 7 të dyshuarve për “Ushtrim i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike”. Menjëherë pas njoftimit të Policisë së Elbasanit, Rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvani vendosi pezullimin deri në fund të hetimit për dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane dhe dy pedagoget.

Zjarr Tv Ad