Policia e Tiranës ka arrestuar një 69-vjeçar që ishte i shpallur në kërkim pasi është dënuar nga gjykata për mashtrim. Ai është Xhelal Hoxha, ndërtues, i dënuar me 11 vite e 8 muaj burg për mashtrim.
Bëhet fjalë për një borxh prej 50 mijë euro të marrë në vitin 2006 dhe që nuk e kishte kthyer. Për borxhin që kishte marrë, 69-vjeçari kishte lënë garanci 5 apartamente në një pallat që po ndërtonte në Golem në atë kohë, dhe për këtë kishin nënshkruar një kontratë.
Por, huadhënësi kishte verifikuar nga punonjësit e Hipotekës se Xhelal Hoxha nuk kishte asnjë objekt në të dhënat e regjistruara në kontratën noteriale.
Gjatë një takimi sqarues, Hoxha i ka premtuar kallëzuesit Sh. M. një apartament në një pallat në ndërtim në Durrës. Në vijim, pas dyshimeve se ishte mashtruar, Sh. M. ka kërkuar kthimin e parave, veprim që nuk është kryer nga ndërtuesi.
Pavarësisht kërkesave të të dëmtuarit, i pandehuri që nga viti 2008 e në vazhdim nuk ka pranuar që t’ia kthejë shumën prej 50 000 eurosh te dëmtuarit Sh. M.