Pas disa ditësh në kërkim, policia italiane ka mundur të arrestojë shqiptarin Lekë Luca i cili të hënën ( 24 qershor) u arratis nga burgu i Trapanit në Siçili.
32-vjeçari Luca u arrestua ndërsa po ecte në këmbë në krah të linjës hekurudhore Trapani-Palermo.
Për disa ditë ai kishte qëndruar i fshehur në zonat pyjore mes qytezave Dettilo e Paceco.
Në momentin e arrestimit ka tentuar të largohet, por është bllokuar nga forcat e rendit.
Lekë Luca është dënuar deri më 2022 nga drejtësia italiane me akuzën e trafikut të drogës. Është hera e dytë që ai arratiset nga burgu.
Dy vite më parë së bashku me një shqiptar tjetër u arratis nga burgu i Civitavehias.
Autoritetet italiane po hetojnë nëse në arratisjen e tij kanë ndihmuar dhe bashkëpunëtorë të tjerë