Arrestohet vëllai i ministres së Edi Ramës, për llogari të FBI-së

0
22

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën biznesmenin nga Kosova Imer Shahinin, vellai i Besa Shahinit, ministre e Arsimit ne Tirane. Njekohesisht Imer Shahini eshte edhe miku i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, raporton Insajderi.

Shahini, i cili është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është arrestuar të martën në Fushë Kosovë nën akuzat se ka kryer mashtrime milionëshe.

Burime të Insajderit brenda autoriteteve shtetërore të drejtësisë kanë konfirmuar se Imer Shahini pritet të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) pasi eshte i kerkuar nga FBI-ja.
Imer Shahini, vëllai i Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zv/kryeministrit Hoxhaj, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.

Aksioni i Policisë së Kosovës, i cili nisi me arrestimin e Imer Shahinit të martën, ka vazhduar edhe të mërkurën.

Një ditë pas arrestimit të Shahinit, Policia ka arritur të arrestojë edhe Binak Gjergjajn dhe Ramiz Borduniqin, po ashtu të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë, raporton Insajderi.

Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të narkotikëve.

Imer Shahini akuzohet për përfshirje në një skemë mashtrimi milionëshe.

Skema e mashtrimit në të cilën ishte përfshirë Shahini, parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë ‘Gerova Financial Group Ltd’, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.

Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, ‘Shahini Accounts’, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në ‘Gerova’ të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre.

Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë ‘Gerova’ duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Imer Shahini, i cili është kunati i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, prej disa vitesh është kthyer në vendlindjen e tij dhe banon në Prishtinë.

Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë ‘Dorian & Pan Illyrian Partnership’. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis.

Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës(ARBK), kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës.