Arta Dade: Vetëm largimi i Edi Ramës e shpëton vendin dhe PS-në

0
17
Kryetari i PS Edi Rama, deputetet Sajmir Tahiri dhe Arta Dade, gjate Kongresit te Forumit te Gruas te Partise Socialiste, ne Pallatin e Kongreseve.

 

Arta Dade, një themeluese e PS-së e cila ka mbajtur poste të rëndësishme në parti dhe në qeverisjet socialiste, sërish ka kërkuar largimin e Edi Ramës, si një rrugë për shpëtimin e vendit nga kriza por edhe të forcës politike që ai ka uzurpuar. Në emisionin “I Ftuari” ajo thotë se nuk do ta miratonte dorëzimin e mandateve të opozitës, por në anën tjetër këmbëngul se për t’i dhënë një zgjidhje situatës politike në vend duhet të largohet Edi Rama, si kryeministër.

“Ambasadori italian tha sot se mazhoranca duhet të hedhë një hap për të zgjidhur problemin. Unë kam qenë me këtë variant, madje unë kam shkuar edhe më tej, duke thënë se Kryeministri duhet të largohet në mënyrë që ta zgjidhë dhe ta zhbllokojë këtë situatë. Të largohet si kryeministër jo se e kërkon opozita, por ka një intensitet shumë të lartë skandalesh. Vetëm njëra do të mjaftonte që një kryeministër në një vend demokratik të largohej dhe kostot e kësaj qeverie nuk ka pse i merr forca politike që mendohet se e ka mandatuar këtë qeveri”, deklaroi Dade.

 

Gjithashtu ajo ka folur edhe për situatën brenda Partinë Socialiste, duke theksuar se kjo forcë politike është diçka tjetër nga qeveria e Edi Ramës dhe ky i fundit nuk e përfaqëson më atë.

“Këtu kemi një dualizëm, qeveria është diçka tjetër dhe PS është diçka tjetër. Këtu buron dhe refuzimi im për t’u futur në kryesinë aktuale të partisë. Madje në kongresin e fundit nuk më është dhënë fare edhe mandati i delegates. Jam interesuar për mandatin dhe ai ka shkuar deri në Korçë e jo në destinacion. Pra, nuk ka shkuar te PS e Kolonjës. Se kush i bën këto… uroj që të jetë e paqëllimtë. Kjo tregon se partia nuk funksionon. Partia dhe Kongresi i fundit ishte një shoë dhe unë prandaj them se kjo qeveri nuk barazohet me Partinë Socialiste. Kjo është një qeveri e Ramës, i cili është një kryetar që nuk është zgjedhur prej 12 vitesh. Deri tani Rama ka bërë vetëm pazare, nuk ka bërë kompromise. Një politikan që mendon vërtetë për interesat e vendit duhet të jetë i interesuar që të ketë marrëdhënie pozitive me të gjithë aktorët në vend dhe jo të stisë konflikte, pasi kjo tregon se nuk je i zoti të qeverisës”, u shpreh Arta Dade.