Gazetari Artan Hoxha, shprehet se; debati për përgjimet italiane, ku përmenden edhe zyrtarë të lartë shqiptarë, zgjatën vetëm tre ditë dhe sipas tij nuk ishte aspak surprizë. I ftuar në “As pro as kundër”, në ABC, Hoxha me ironi ka theksuar se; ditën e katërt u sëmur mjeku Pëllumb Pipero, ku e gjithë vëmendja shkoi tek ai.
“Shteti heshti? Nuk heshti por deshi të dëgjonte çfarë do thuhej. U bë një shkrim të një maniat mediatik që kemi ne këtu. Ai shkrimi i ditës së parë u lexua ditën e tretë si përgjigje zyrtare e republikës së Shqipërisë nga kryeministri dhe tha në vitin 2018 në Shqipëri Ndragheta dështoi, dhe ndërtoi vetëm një dyqan veshjesh.
Kryeministri si një kryeredaktor tha mos u merrni me këtë. Dhe në fund doli se fajtori ishte media. Historia zgjati fiks tre ditë. Ditën e katërt u sëmur në kohën duhur Pipero që i uroj të shkuara. U sëmur fiks ku duhej dhe pasdite na bombarduan me sondazhe dhe sot nuk po flet njeri për Ndraghetën”, ka thënë Hoxha.
Çfarë zbuluan përgjimet?
Janë pothuajse 35 të arrestuar, nga operacioni i madh kundër klanit të “Ndragheta-a”. Në këtë operacion, të përfshirë janë edhe politikanë lokalë, si dhe të njohur në Itali, siç është eurodeputeti Lorenzo Cesa, këshilltari rajonal për buxhetin Franco Talarico dhe sipërmarrësi Antonio Gallo, i njohur edhe si “Princi” që do të pushtonte Shqipërinë me projektet e tij, nëpërmjet njohjeve këtu duke dhënë rryshfet.
Sa i përket Shqipërisë, të paktën nga ajo që është zbuluar nga autoritetet italiane, historia nis gjatë një darke në restorantin “Tullio”, më datë 7 korrik 2017 në Romë. Në atë darkë janë të pranishëm biznesmeni Antonio Gallo, sekretari Franco Talarico e Tommaso Brutto, ish-këshilltar komunal i Catanzaros dhe djali i tij Saverio si edhe miq të tjerë të tyre.
Gjatë kësaj bisede, theksohet fakti se; në Shqipëri korrupsioni është masiv dhe se me 100 000 euro mund të “blesh” çdokënd.
Në një përgjim tjetër të disa muajve më vonë, dëgjohet Antonio Gallo, Brutto dhe një miku i tyre, Speziali që flasin se si mund të bëjnë biznes, në Shqipëri duke korruptuar zyrtarë të vendit.
Gallo përmend faktin se kanë dërguar një të njohurin e tyre tek kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që gjatë bisedes, flitet edhe se përmes një personi të quajtur “Nik”, mund të kenë akses tek ministrat, kryebashkiaku i Tiranës, etj. Madje, ata shprehen se; mund të takojnë edhe Presidentin e Republikës.