Arti nuk njeh kufij dhe pavarësisht distancave është komunikim efektiv midis kombeve të Kinës dhe Shqipërisë

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Artur Nura

Këtë radhë isha i ftuar në sallën “Ibrahim Madhi” të Akademisë së Arteve të Bukura, në një atmosferë miqësore midis studentëve e profesorëve të Fakultetit të Skulpturës dhe dy skulptorëve, kinezit Liu Ruowang dhe shqiptaro-italianit, Alfred Mirashi – emri i artit Milot, të cilët janë fitues të Konkursit Ndërkombëtar, “Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Në një sallë të vogël komunikimi ishte shumë dimensional.

Z. Liu Ruowang dhe z.Alfred Mirash Milot dhe autori Artur Nura (Foto nga autori)

Dy artistët e mirënjohur, Liu Ruowang dhe Alfred Mirashi – Milot, punët e të cilëve ndodhen të ekspozuara në hapësira publike në vende të ndryshme të Evropës dhe në Kinë, përcjellin me veprat e artit të tyre padyshim edhe filozofinë, eksperiencën dhe frymën e dy vendeve të origjinës, pra Kinës dhe Shqipërisë dhe ndihmojnë në komunikimin midis popujve përkatës e m ë e gjere.

Me profesorë e studentë të Arteve të Bukura dy artistët ndanë me të pranishmit veçantinë e artit të tyre, asaj marrëdhënie komunikimi shumë planëshe, e cila duhet thënë jo gjithmonë gjen dakordësi dhe mirëkuptim në një realitet diversitetesh të mendimit, botëkuptimeve politike dhe të kulturave të ndryshme në gjeografinë globale, por arti dhe artisti padyshim duket se i sjell botës mundësi që i tejkalojnë kufijtë.

Pra përmes një arti të madh, dy artistët Rouwang dhe Milot, duket se ndërtojnë ura të cilat tejkalojnë ndasitë e divergjencave dhe përmes artit konceptual, një arti që ballafaqon sfidën në një botë dinamike të vrullshme, artistët me krijimtarinë e tyre tregojnë se janë në koherencë me ndryshimet e ardhshme dhe nuk stepen në ndeshjet epike midis shteteve e padyshim ofrojnë popujt më afër njëri tjetrit, në rastin konkret Kinës së madhe dhe Shqipërisë së vogël.

Arti i shqiptarit Alfred Mirashi Milot

“Skulptori dhe piktori shqiptaro-italian, Alfred Mirashi -Milot ka çelësin, në artin e tij shprehës. Ai me këtë alegori guxon të ngreje zërin për një realitet mundësish dhe përmbushjes së ëndrrave, në një të sotme që na përket në të gjitha përmasat edhe në aspektin shpirtëror. Milot është artisti që i jep botës simbolikën e çelësit të hapjes së portave, çelësin si një hajmali për të dëbuar çdo paragjykim dhe paranojë, për të rrëzuar çdo mur dhe ndalim, për të udhëprirë kah dëshirimi çdo ambicie dhe ëndërr, në themel të së cilës qëndron nevoja jonë për të rrokur gjithçka me gjithëpraninë e shpirtërores. Ai nxori nga thellësia e kohës të drejtën legjitime për të merituar një botë pa ndalime, për të përftuar të drejtën për të zotëruar çdo mundësi përmes lirisë.” – shkruan studiuesi i Artit dhe Letërsisë Albert Vataj, prezent në këtë event kulturor shumë planësh.

Ndërsa vetë Alfred Mirashi – Milot na thotë se për herë të parë me artin Kinez është njohur në Bienalen e Venezias, ku aty u njoh edhe me mikun dhe kolegun e tij Liu Ruowang, miqësi kjo që e dërgon herë pas here në Kinë dhe më pas merr disa çmime atje, por kujton me kënaqësi të veçantë të parin te “Museu Water Cube” në 2015-tën.

Vepra e skulptorit kinez Liu Ruowang(Foto nga Liu Rouwang)

Duhet thënë se tashmë Alfred Mirashi Milot jep mësim në Universitetin e Arteve dhe Disanjit në Jinan, Shandong si profesor i pikturës në departimentin përkatës dhe na thotë se studentët kinezë janë shumë kuriozë për të njohur artin europian, dhe shton se studentët kinezë janë shumë artdashës dhe respektojnë shumë, rolin e profesorit.

Nëse e pyet Alfred Mirashin – Milot se a ndihet përçues i artit dhe kulturës kineze në Europë? Ai thotë se kjo gjë është shumë e madhe për një individ, por padyshim është e rëndësishme të merret kjo iniciativë dhe, se “Çelësi” i tij si gjuhë artistike për komunikim midis njerëzve dhe popujve për studentët e tij kinezë është forma e dialogut që ata e pëlqejnë shumë!

Arti i kinezit Liu Ruowang

“Skulptori kinez, Liu Ruowang ka në simbolikën e artit tij, ujqërit që po vijnë, e cila rreket të krijojë një marrëdhënie që sintetizon simbolikën e agresionit të njeriut në planet dhe reagimin e natyrës si pasojë e prishjes së këtij diversiteti. Një alegori e përgjigjes së natyrës ndaj shkatërrimeve dhe sjelljes asgjësuese të njeriut ndaj mjedisit. “Ulërima” e ujqve në sheshe të qyteteve të ndryshme të Evropës është një alarm, kambanave të së cilës i bie artisti në një nevojë të ngutshme për të reaguar, në një sensibilitet për të rikthyer harmoninë e asaj marrëdhënie që ka bashkëudhëtuar ekzistencën, në qendër të së cilës është njeriu dhe natyra.” – shkruan po studiuesi Albert Vataj për artistin kinez.

Ndërsa pyetjes tonë se si shkrihet filozofia artistike e Liu Ruowang me filozofinë komunikimit? Ruowang përgjigjet se mesazhi është si një britmë e madhe ndaj problemeve të shoqërisë së sotme që pothuajse Janë globale dhe të ngjashme në çdo vend dhe se duhet të reagojmë për to sa më parë.

Kur e pyesim se cila është filozofia përçuese në skulpturat e tij? Ruowang përgjigjet se filozofia pas skulpturave të tij, janë vlerat universale dhe eksperienca e jetës së tij si qytetar dhe artist kinez, me emocione të cilat i duhen shprehur botës.

Kur e pyesim se çfarë mesazhi do përcjellë vepra publike që po realizoni në Shqipëri? Ruowang thotë se mendon se ajo që bën është arti publik dhe zhvillimi kulturor publik. Sigurisht shton Ruowang unë jam me origjinë fshatare dhe sjell edhe frymën e fshatit kinez dhe po shoh edhe fshatrat shqiptarë për të kuptuar filozofinë e tyre dhe, jam i gatshëm të vij këtu e të bëj disa projekte dhe eksperienca kulturore publike.


Vepra e skulptorit shqiptar Alfred Mirashi Milot(Foto credit Michele Stanzione)

Pyetjes se si është pritur si artist kinez në Shqipëri? Po në vendet e tjera Europiane? Ruowang përgjigjet se mendon se është pritur mirë dhe veçanërisht në Shqipëri në sajë mikut dhe kolegut Alfred Mirashi -Milotit.

Një artist shqiptar dhe një kinez me një filozofi artistike

Tashmë të dy artistët, njëri kinez dhe tjetri shqiptar, kanë fituar një projekt me anë të konkursit të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe u lexohet qartë entuziazmi artistik dhe njerëzor i cili është shumë komunikues si simbolikë midis dy popujve, pavarësisht distancës gjeografike apo edhe politike.

Ne sigurisht u urojmë suksese në këtë rrugë artistike në Shqipëri si Ruowang ashtu edhe Milotit me dëshirën që të dy të realizojnë me artin e tyre diçka të ngjashme në vepra publike edhe Kinë, ndërsa kanë tashmë disa të tilla në Europë./CRI.CN

Zjarr Tv Ad