Një avokat britanik që përfaqësonte gangsterët shqiptarë është qëlluar për vdekje, duke provokuar frikën se ai u ekzekutua pasi humbi disa çështje penale të profilit të lartë, nis shkrimi i Daily Mail në artikullin dedikuar ekzekutimit të disa muajve më parë të avokatit Ravik Gurra, i cili mbante edhe pasaportën britanike.
Avokati 50 vjeçar, u qëllua tre herë në kokë me një pistoletë me silenciator, teksa ishte ulur para një kafeneje me disa miq në Elbasan në mars të këtij viti.
Në shkrimin e prestigjozes, Daily Mail, thuhet se Gurra kishte përfaqësuar disa gangsterë shqiptarë, përfshirë këtu anëtarë të familjes Çapja, por Emiljano Shullazi, i cili u shpall fajtor për zhvatje dhe drejtimin e një organizate kriminale dhe u dënua me 14 vjet.
Sipas kësaj medie britanike, një avokat shqiptar, i cili ka kërkuar të mos identifikohet ka deklaruar se: ‘Vrasja e Ravik Gurrës ka futur në mendime të gjithë avokatët e kriminelëve. Ne nuk jemi të sigurt për të përfaqësuar mafiozin. Bandat kriminale veprojnë përtej të gjitha kufijve. Nëse ata vrasin avokatë në Shqipëri sepse ata humbasin një çështje, ata mund t’i vrasin ata në vende si Gjermania dhe Anglia gjithashtu”.
Një burim për median britanike shprehet se policia shqiptare ka dy pista hetimi në lidhje me vrasjen: Ose ka qenë ndëshkim për çështjet e humbura, ose është eliminuar nga rivalët e Çapjave në Elbasan.
Ravik Gurra emigroi në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1990, ku u vendos me gruan e tij, e ku fitoi shtetësinë britanike.