Analisti Artur Zheji dh Fatos Lubonja të ftuar sot në emisionin “Pikat mbi i”, analizuan situatën politike në Partinë Demokratike dhe zhvillimet ditët e fundit.
A po zgjidhet kriza e PD? Zheji shprehet se nuk mendon se ardhja e Sali Berishës pas dorëheqjes së Lulzim Bashës do ta zgjidhë krizën. Ai shton më tej se në vijim do të duket sikur kjo krizë do të zgjidhet, por në fakt ajo do të shfaqet sërish më vonë, e madje edhe më e fortë.
“Nuk kemi bashkim të PD, kemi një nënshtrim të një pale ndaj palës tjetër, është forca dhe karizma e Berishës, që siç u shpreh, të paktën ai ka si kapital politik zgjedhjet e 6 Marsit, pavarësisht se është humbës ndaj Ramës, dhesë dyti që e bën më të fortë karizmën e Berishës, është dorëheqja e Bashës. Kjo krizë do duket sikur do zgjidhet por do shtyhet për një moment të dytë dhe do shpërthejmë më vonë më e madhe”, u shpreh ai.
Ndërkaq nga ana tjetër Fatos Lubonja tha se është e dhimbshme që në fakt nuk flitet për çështje me rëndësi, duke e kthyer vëmendjen tek opozita dhe duke lënë mënjanë opozitën që i duhet bërë qeverisë. Krizën në PD ai e ka quajtur krizë personazh dhe jo për institucionin e opozitës, siç e quan ai.
“Është e dhimbshme që po merremi kaq shumë me opozitën dhe nuk merremi me atë që duhet të merremi, të kemi një opozitë kundër pushtetit. Është krizë personash dhe jo liderësh apo institucioni të opozitës, më shumë duket se nuk kemi bashkim por kem i nënshtrim, kjo është mospërdorim i krizës për zgjidhje”, shprehet Lubonja.