Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, një vëmendje e veçantë iu është kushtuar patronazhistëve të partisë, që janë anëtarë të ngarkuar për të mbikqyrur të afërmit, fqinjët apo banorët e një zone dhe për të negociuar më pas për votën, në këmbim të shërbimeve shtetërore, si leje legalizimi, ndihmë ekonomike, etj.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla i ka falenderuar për punën e bërë, ndërsa Sekretari Organizativ Arben Pëllumbi tha se patronazhistët këto zgjedhje e nxorrën faqebardhë partinë. Por siç dihet, në dispozicion të patronazhistëve, drejtuesit e Partisë Socialiste vunë të dhënat personale të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, të dhëna që dyshohet se u morën nga platfroma e-albania, apo institucione të tjera shtetërore në mënyrë të jashtëligjshme.
Pikërisht për këto të dhëna, SPAK nisi një hetim. Por në vend se të drejtoheshin për në zyrat e PS apo të e-albania, prokurorët trokitën në dyert e redaksisë së Lapsi.al, që publikoi skandalin. Ndërkohë që SPAK vazhdon hetimet, në Asamblenë e Partisë Socialiste, patronazhistët vazhdojnë të marrin falenderime duke shpërfillur totalisht hetimet që po kryhen nga prokurorët specialë.